11-10-2024

Arrestohet punëtorja e “Besa Security”, dyshohet se i përfitoi 95 mijë euro kundërligjshëm

Një rast i tillë i keqpërdorimit të besimit është denoncuar nga një kompani e sigurimit në Prishtinë, me ç’rast u raportua një punëtore që dyshohet se përfitoi kundërligjshëm, raporton Gazeta Sinjali.

Si rezultat, e dyshuara është arrestuar dhe shoqëruar gjatë ditës së sotme në Polici dhe ndaj saj tashmë është lëshuar urdhër për ndalim.

Sinjali ka mësuar se bëhet fjalë për kompaninë “Besa Security” – përfaqësuesi i të cilës ka raportuar së fundmi në Polici se një punëtore e kësaj kompanie ka përfituar në mënyrë të jashtëligjshme një shumë të majme parash.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht emrin e të dyshuarës, e që bëhet fjalë për Besa Ademin, rreth 46-vjeçare.

Bazuar në informacionet e para, punëtorja e kompanisë dyshohet se duke shfrytëzuar dhe keqpërdorur detyrën e saj, ka arritur që për rreth 4 muaj të përfitojë hiç më pak se rreth 95 mijë euro, shkruan Sinjali.

“Zhdukja” e të hollave që e njëjta dyshohet se i mori kundërligjshëm, duke keqpërdorur besimin që i është dhënë u zbulua së fundmi dhe u denoncua në Polici.

Pas denoncimit të rastit, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore dhe është siguruar prezenca e të dyshuarës.

Punëtorja e kompanisë “Besa Security” është intervistuar nga hetuesit policorë nën dyshimet për veprën penale “Keqpërdorimi i besimit”.

Ndaj saj, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor prej 48 orësh dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme brenda afatit ligjor.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Kushdo që gjatë përfaqësimit apo kujdesit për interesat pasurore të personit tjetër nuk i përmbush detyrimet e tij ose i keqpërdor autorizimet e tij me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme apo t’i shkaktojë dëm personit interesat pasurore të të cilit ai i përfaqëson ose pasuria e të cilit është nën kujdesin e tij, dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet.”

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.