25-11-2024

Arrestohet zyrtari policor i dyshuar për fajde e detyrim në Prizren

Gjatë mega aksionit të Policisë në bashkëpunim me Inspektoratin Policor kundër fajdes e bixhozit të kundërligjshëm në rajonin e Prizrenit e të Prishtinës është arrestuar zyrtari policor Luan Bytyqi. Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht se rreth 20 persona, në mesin e tyre edhe Bytyqi kanë qenë objekt hetimi dhe pritet të arrestohen sot.

Bytyqi, zyrtar policor nga Rajonale e Prizrenit tashmë ka rënë në prangat e IPK-së, nën dyshimet se është i përfshirë në veprat penale ‘Fajde’ dhe ‘Detyrim’.

Gazeta Sinjali nga burime të besueshme brenda strukturave të sigurisë në vend, mëson se ky mobilizim në këto përmasa vjen si rezultat i një pune të gjatë hetimore të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, nën menaxhim të Prokurorisë Themelore në Prizren, e të asistuar edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe Policia e Kosovës, e cila ka shpërfaqur se regjioni i Prizrenit është përdorur si fole për aktivitetin e fajdes dhe organizimin e lojërave të fatit në mënyrë të kundërligjshme.

Në mbështetje të këtij aksioni, Gazeta Sinjali mëson se janë mobilizuar edhe dhjetëra pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës (NJSO), Njësia Kundër Krimeve Kibernetike, Njësia Kundër Deminimit, si dhe Njësia K-9

Sinjali mëson se me urdhër të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake të Gjykatës Themelore në Prizren, do të realizohen bastisje në disa lokacione në Prizren dhe rrethinë, si dhe në disa lokacione në Prishtinë.

Po ashtu, me rastin e bastisjes në këto lokacione do të sekuestrohen pajisje elektronike, telefona të mençur, vetura e sende tjera të luajtshme, të cilat do të shërbejnë si prova gjatë fazes së mëtutjeshme të hetimit.

Sinjali disponon edhe detaje të tjera nga mega-operacioni në zhvillim, por me qëllim të ruajtjes së konfidencialitetit të hetimit dhe parandalimit të dëmtimit të provave apo arratisjes së personave të dyshuar, nuk do t’i publikojë deri në një moment kur lajmi nuk do të ndikojë në mbarëvajtjen e aksionit.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. 

Asnjë koment

Comments are closed.