17-05-2024

Arsyetimi i Apelit për përgjysmimin e dënimit të të akuzuarit Tasiq, për krime lufte në Krushe

Gjykata e Apelit, të martën, njoftoi se ia ka përgjysmuar dënimin me burgim të akuzuarit për krime lufte, Darko Tasiq.

Nga 22 vjet burgim sa ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prizren, Apeli e ka dënuar Tasiqin me 11 vjet burgim.

Vendimin për zbutje të dënimit, Apeli e ka marr pasi ka vendosur të aprovojë pjesërisht ankesën e mbrojtjes së Tasiqit.

Në aktgjykimin e Apelit, të marr nga kolegji special në përbërje nga gjyqtarët, Kreshnik Radoniqi, Burim Ademi dhe Milan Bigoviq, fillimisht theksohet se nuk janë të bazuara pretendimet e mbrojtjes se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave procedurale e as me vërtetim të gabuar të gjendjes faktike.

Por, Apeli e ka aprovuar si të bazuar pretendimin e mbrojtjes se në këtë rast është shkelur ligji penal e çka ka ndikuar pastaj edhe në vendimin për dënim.

Lexo edhe:

Krushjanët protestojnë para Gjykatës së Apelit: “Do ta kallim këtë gjykatë”

“Duke qenë se gjykata e shkallës së parë me aktgjykimin e ankimuar, kishte shqiptuar ndaj të akuzuarit dënimin për dy vepra penale si dënim unik prej 22 vitesh, rezulton se cilësimi juridik i këtyre veprave penale ishte bërë sipas dy ligjeve Kodit Penal të ish RSFJ-së, dhe Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa në arsyet e dhëna për lartësinë e dënimit, por edhe në shqiptimin e dënimit unik, rezulton se gjykata ka zbatuar dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Sipas vlerësimit të shkallës së dytë, sipas Kodit Penal të RSFJ-së, dënimi më i ulët për veprën penale krimet e luftës kundër popullsisë civile nga neni 142 është me burgim deri në 5 vite, deri në dënim me vdekje dhe meqë në Kosovë, dënimi me vdekje ishte shfuqizuar nga UNMIK, bazuar në dispozitat ligjore të Ligjit Penal të RSFJ-së në nenin 38 par. 2, është paraparë se për veprat penale për të cilat është parashikuar dënimi me vdekje, gjykata mund të japë edhe dënimin me burgim deri në 20 vite.

Në rastin konkret, sipas Apelit, rezulton se dënimi maksimal për këtë vepër penale sipas këtij Ligji, mund të shqiptohet deri në 20 vite.

“Kjo për faktin se Rregullorja e UNMIK-ut që kishte shfuqizuar dënimin me vdekje në territorin e Republikës së Kosovës, nuk kishte ndryshuar asnjë efekt të lartësisë së dënimit me burgim, që mund të shqiptohet kur për atë vepër ishte paraparë dënimi me vdekje. Ndërsa, Kodi Penal i Republikës së Kosovës në nenin 152 ka paraparë dënimin me burgim prej së paku 5 vjet ose me burgim të përjetshëm, çka nënkupton Faqe 13 e 15 se Kodi Penal nuk është kod më i favorshëm për të akuzuarin”, thuhet në vendimin e Apelit.

Po ashtu, në aktgjykim theksohet se dispozitat kushtetuese përcaktojnë në mënyrë shprehimore se ndaj të akuzuarit zbatohet ligji që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, përveç kur ligji i ndryshuar është më i favorshëm ndaj të akuzuarit.

“Mbi këtë bazë, kjo Gjykatë gjen se gjykata e shkallës së parë gabimisht ka aplikuar Kodin Penal të Republikës së Kosovës, në cilësimin juridik të veprave penale”, theksohet në aktgjykimin e Apelit.

Sa i përket faktit të cilësimit të dy veprave penale që gjykata e shkallës së parë ka vendosur si në dispozitiv të aktgjykimit të ankimuar, Apeli thekson se e ka ndryshuar aktgjykimin e tillë për faktin se vlerëson se kemi të bëjmë me një vepër penale, ngase rezulton se veprimet e tilla të ndërmarra nga i akuzuari që kanë të bëjnë me konfiskimin e pasurisë, plaçkitjen në shkallë të gjerë, marrjen e sendeve – të makinerisë bujqësore dhe makinave tjera dhe përdhosjen e trupave që cenojnë dinjitetin njerëzor, si veprime të tilla janë të ndërmarra në kuadër të veprës penale nga neni 142 i LPRSFJ-së, për të cilën dispozitë janë të zbatueshme Konventat e Gjenevës dhe protokollet shtesë,.

Sa i përket lartësisë së dënimit, Apelit thekson se matjen e dënimit e mbështetur në nenin 41 të ish LPSRFJsë, ku nga rrethanat e çështjes, por edhe nga shkresat tjera të lëndës ka vlerësuar rrethanat rënduese dhe lehtësuese në këtë kontekst.

“Si rrethana rënduese gjykata ka gjetur shkallën e përgjegjësisë penale, ku rezulton nga tërësia e rrethanave se i akuzuari kur kishte vepruar në kryerje të kësaj vepre penale i kishte ndërmarrë brenda dy ditëve të tërësishme dhe në rrethanat që për të dëmtuarit ishin shumë të rënda, motivin për shkakun e kryerjes së kësaj vepre penale, po ashtu gjykata e ka gjetur si rrethanë rënduese, e që rezulton se në të vërtetë motivi ishte vetëm për shkak të aspektit të fillimit të luftës dhe që veprimet e të akuzuarit ishin të drejtuara ndaj një grupi të caktuar etnik – shqiptarë”, thuhet në aktgjykim.

Si rrethana rënduese, Apeli ka marr edhe rrethanat në të cilat ishte kryer vepra penale, e që rezulton se veprimet e të akuzuarit ishin ndërmarrë kur ndaj të dëmtuarve ishte urdhëruar largimi dhe lëshimi i shtëpive, por se në të njëjtën kohë, shumë nga fshatarët ishin ndalë, ndërsa përveç fëmijëve dhe grave ishin lejuar që të vazhdojnë tutje.

Po ashtu si rrethanë rënduese, Apeli e ka vlerësuar edhe faktin se siç rezulton nga rrethanat e fakteve të cilat mbështeten me provat, i akuzuari kishte vepruar në bashkëkryerje, që është e qartë se veprimet që i ndërmerrte i akuzuari krijonin edhe pasojën për të dhe bashkëkryerësit.

Ndërsa si rrethana lehtësuese, Apeli ka vlerësuar rolin e të akuzuarit në veprimet e bashkëkryerjes e që rezulton se i akuzuari nuk ishte me rol kryesor, për faktin se nuk shpërfaq asnjë provë apo rrethanë se ky i akuzuar udhëhiqte apo urdhëronte bashkëkryerësit, çfarë nënkupton se roli i tij në kuadër të bashkëkryerjes nuk ishte në rolin e udhëheqësit të veprimeve inkriminuese.

“Rrethanë tjetër lehtësuese e ka vlerësuar jetën e mëparshme të kryerësit, e që nga provat që janë administruar në shqyrtimin gjyqësor, të gjithë dëshmitarët pa përjashtim pohojnë faktin se raportet ndërmjet kryerësit dhe tyre në fshat kanë qenë të mira, por ato janë keqësuar në kohën e luftës, nga ana tjetër nuk ka ndonjë të dhënë në shkresat e lëndës se i akuzuari të ketë qenë kryerës i ndonjë vepre penale për të vlerësuar cilësitë personale që mund të manifestohen si elemente të dhunshme të personalitetit”,­­ thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Gjithashtu, si rrethanë tjetër lehtësuese, shkalla e dytë e ka vlerësuar faktin se i akuzuari në kohën e kryerjes së veprës penale ishte në moshë relativisht të re, që ishte i moshës 26 vjeçare.

Ndryshe, të enjten, familjarë të viktimave kanë protestuar para objektit të Gjykatës së Apelit, të pakënaqur me zbutjen e dënimit për Darko Tasiqin.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së PSRK-së, me të cilën i akuzuari Darko Tasiq, akuzohet se gjatë muajit mars 1999, ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile të fshatit Krushë e Vogël, të Komunës së Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Tasiq akuzohet se fillimisht gjatë periudhës 15 – 26 mars 1999, ka marrë pjesë së bashku me forcat policore dhe para ushtarake serbe, për të plaçkitur dhe shkatërruar pasuritë e popullsisë civile, duke djegur shtëpi, duke marrë automjetet bujqësore dhe sendet tjera me vlerë të të fshatarëve në përgjithësi dhe familjes Hajdari në veçanti.

Aktakuza e PSRK-së e ngarkon të akuzuarin Tasiq edhe me përdhosjen e trupave të pajetë, duke i djegur kufomat së bashku me forcat tjera policore dhe paramilitare dhe duke i hedhur kufomat në lumin Drin, në një vend jashtë fshatit Krushë e Vogël.

Sipas aktakuzës, i akuzuari me veprimet e tij ka kryer sulm mizor kundër dinjitetit njerëzor dhe kërkohet që i njëjti të dënohet sipas ligjit aktual me jo më pak se 5 vjet burgim ose me burgim afatgjatë ose sipas ligjit të mëhershëm, me jo më pak se 5 vjet ose deri në 20 vjet burgim efektiv. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.