Arsyetimi i gjykatës në aktgjykimin dënues ndaj deputetes Vrenezi dhe ish-zyrtarit të Prizrenit të akuzuar për korrupsion
Aktgjykimi ishte shpallur nga gjykatësja e Departamentit për Krime të Rënda, e Gjykatës Themelore në Prizren, Kymete Kicaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas këtij aktgjykimi, gjykata ka liruar nga akuza të pandehurit Egzonë Morina-Thaçi, Arian Taraku, Isë Bislimaj dhe Shqipron Krasniqi sepse për të njëjtit nuk është provuar se kanë kryer veprën penale për të cilën akuzoheshin.
Në arsyetimin e këtij aktgjykimi të përpiluar më 4 korrik 2022 të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se gjykata ka vërtetuar elementin subjektiv të veprës penale tek Vrenezi e Thaqi, pasi sipas këtij aktgjykimi është vërtetuar dashja e të akuzuarve dhe pajtimi i tyre me pasojën e shkaktuar.
Sipas këtij aktgjykimi për të akuzuarën Vrenezi, është vërtetuar elementi subjektiv, ku thuhet se ajo me dashje direkte nxjerrë konkluzion për rrënim të dhunshëm të pjesës së objektit të “Abi Çarshia”.
“E pandehura Jetmira Vrenezi, si person zyrtar e emëruar në organin e pushtetit lokal për te kryer detyrat zyrtare si inspektore e ndërtimit ne Drejtorinë e Inspektorateve te Komunës së Prizrenit, duke vepruar me dashje direkte, tejkalon autorizimet ligjore që kishte në cilësi të inspektores së ndërtimit, në atë mënyrë që vetëm pas pak orësh që pranon lëndën e “Abi Çarshia”, nga e pandehura Egzona Morina-Thaçi më datë 15.07.2019, ndërmerr veprime duke nxjerrë konkluzion për rrenim të dhunshëm të pjesës së objektit “Abi Çarshia” ku kishte tejkalim të lejes ndërtimore, e këtë konkluzion e nxjerrë me një nguti të pajustifikuar nga ana e saj, pasi që asnjë dispozitë ligjore nuk e orienton që konkluzionin për rrënim të dhunshëm duhej nxjerrë brenda ditës pas inspektimit dhe katër ditë pas nxjerrjes së konkluzionit te zbatohet rrënimi i asaj pjese të objektit, duke shkelur të gjitha procedurat ligjore”, thuhet në aktgjykim.
Tutje në aktgjykim thuhet se, gjatë shikimit të video incizimeve dhe pas analizimit të deklarimit të të pandehurës Morina-Thaqi dhënë në procedurën hetimore dhe në shqyrtimin gjyqësor, e po ashtu edhe nga deklarimi i palës së dëmtuar Irfan Fusha, është vërtetuar se ditën kritike më datë 19 korrik 2019 e pandehura Jetmira Vrenezi në një moment kur paraqiten pengesa në rrënimin e objektit, ajo thekson se “ma jepni mua një çekan se e rrënoj vet atë pjesë”.
Pra ky deklarim i saj sipas arsyetimit të këtij aktgjykimi shpërfaq në mënyrë shprehimore vendosmërinë e të pandehurës duke manifestuar dashjen e saj direkte në realizimin e qëllimit të saj e që ishte rrënimi i dhunshëm të saj pjese të objektit “Abi Çarshia”.
Sipas këtij aktgjykimi edhe për të akuzuarin Thaqi, është vërtetuar elementi subjektiv i veprës penale, ku me veprimet tij thuhet se është shfaqur konsistent në drejtim të realizimit të rrënimit të pjesës së objektit “Abi Çarshia”.
“Nga video incizimet- pamjet e transmetuara në televizionet TV Besa dhe TV Prizreni e të administruara si provë në shqyrtimin gjyqësor, vërtetohet se i pandehuri Islam Thaçi, ditën kritike shfaqet konsistent në drejtim të realizimit të rrënimit të pjesës së objektit ku kishte tejkalim të lejes, e kjo manifestohej në mënyrën se si fliste dhe mënyrën se si sillej me personat që ishin tubuar aty, duke përfshirë edhe njësinë policore që kishte arritur në vend ngjarje”, thuhet në arsyetimin e këtij aktgjykimi.
Tutje në aktgjykim thuhet se nuk është kontestuese se të pandehurit Thaqi dhe Vrenezi në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë persona zyrtar.
Po ashtu, sipas këtij aktgjykimi nuk është kontestuese se me nxjerrjen e konkluzionit për rrënim të dhunshëm, me realizimin e ekzekutimit të atij konkluzioni u tejkaluan autorizimet ligjore, si dhe nuk është kontestuese se me veprimet e tyre qëllimshëm shkaktuan dëm material palës së dëmtuar.
Në aktgjykim thuhet se në veprimet e të pandehurve janë formuar të gjitha elementet e veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragraf 2 lidhur me paragrafin 1 te KPRK-së
Në vazhdimin e arsyetimit të këtij aktgjykimi thuhet se gjykata nuk ia ka falur besimin deklarimit të akuzuarve Vrenezi dhe Thaqi, pasi të njëjtit kanë qenë kundërthënës, si dhe në kundërshtim me provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Sa përket vlerësimit të rrethanave e lidhur me llojin dhe lartësinë e dënimit të shqiptuar për të pandehurën Vrenezi, sipas aktgjykimit gjykata ka vlerësuar si rrethanë lehtësuse faktin se Vrenezi asnjëherë më parë nuk ka qenë e dënuar. Ndërsa, sa i përket rregullave te posaçme për matjen e dënimit me gjobë, gjykata ka marrë parasysh shumën e të ardhurave personale të pandehurës si dhe gjendjen pasurore te saj.
Siç thuhet në aktgjykim, gjykata me shqiptimin e këtij dënimi si rrethana rënduese ka gjetur se e njëjta ka qenë plotësisht e përgjegjshme për veprimet që i ka ndërmarrë, shkalla e lartë e pjesëmarrjes në realizimin e veprës penale, shkallën e lartë të dashjes për të kryer veprën penale, duke treguar këmbëngulësi si dhe dëmi i shkaktuar.
Kurse, sipas aktgjykimit tek i akuzuari Thaqi si rrethana rënduese janë vlerësuar roli i tij si person me pozitën me të lartë në drejtorinë e inspektorateve dhe influenca që ka pozita në shkallën në cilën vepra ishte planifikuar (shkallë e lartë e pjesëmarrjes), shkallën e lartë të dashjes, ndërsa si rrethanë lehtësuese është vlerësuar fakti se i njëjti nuk ka ndonjë precedent të mëparshëm penal.
Në fund të aktgjykimit thuhet se, duke pas parasysh se i dëmtuari është udhëzuar në kontest civil dhe nuk është vendosur për lartësinë e vlerës së kërkesës pasurore juridike, kjo ka ardhur për faktin se ekspertizës së ekspertit të ndërtimtarisë Liman Mustafa i është falur pjesërisht besimi, për gjykatën ka qenë me rëndësi konstatimi i ekspertit se në pjesën e objektit që është rrënuar është shkaktuar dëm material në përmasa të mëdha, andaj gjykata nuk e ka parë të arsyeshme caktimin e ndonjë eksperti tjetër vlerësues për të përcaktuar vlerën e saktë të dëmit të shkaktuar gjatë rrënimit të asaj pjese të objektit dhe për këto arsye pala është udhëzuar në kontest civil konform nenit 463 paragrafi 2 të KPP-së”.
Sa i përket pjesës liruese të aktgjykimit për Egzona Morina-Thaçi, gjykata ka gjetur se me veprimet e të njëjtës nuk është shkaktuar dëmi, as nuk ka pasur ndonjë përfitim, kështu që gjykata vije në konkludim se në veprimet e saj mungon kauzaliteti, dhe nuk është përmbushur asnjëri prej elementeve të veprës penale për të cilën ngarkohet, kështu që nuk është provuar se e njëjta ka kryer vepër penale.
Sipas aktgjykimit thuhet se për të pandehurit Bislimaj dhe Taraku, prokurori i shtetit nuk ka arritur me asnjë provë të përcaktoj se cilat ishin autorizimet e tyre, me të cilat ata tejkaluan autorizimet ligjore, por është mjaftuar me faktin se ata ditën kritike gjendeshin në vendngjarje.
Tutje, në arsyetimin e këtij aktgjykimi thuhet se edhe i pandehuri Krasniqi nuk ka kryer veprën penale për të cilën akuzohej, pasi sipas gjykatës pavarësisht deklarimit të Krasniqit për ligjshmërinë e rrënimit të asaj pjese të objektit, deklarimi i tij nuk do të ndikonte apo ta pengonte realizimin e konkluzionit.
“Gjykata vie në konkludim se pavarësisht deklarimit të Shqipron Krasniqit lidhur me ligjshmërinë e rrënimit të asaj pjese të objektit, deklarimi i tij nuk do të ndikonte apo nuk do ta pengonte realizimin e konkluzionit ngase që më parë konkluzioni tash me ishte nxjerrë dhe plani për realizimin e konkluzionit për rrënim ishte përgaditur, andaj deklarimi i tij ka shërbyer vetëm për të justifikuar veprimet para mediave dhe masës se personave qe ishin tubuar aty dhe se nuk ka prodhuar pasoja juridike”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqi, Jetmire Venezi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku dhe Isë Bislimaj, të cilët po i ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në aktakuzë thuhet se me 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” SH.P.K në Prizren.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.
Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.
Sipas Prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e ankesit në fjalë, është në vlerë prej 69,729.66 euro.
Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragraf 2-1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.