18-05-2024

Asambleja Komunale sot mban seancë të jashtëzakonshme për “Zambakun”

Kuvendi i Komunës (KK) i Prizrenit, sot do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme për të debatuar rreth përgjegjësisë së Kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka dhe drejtorit të Kulturës, Ehat Oreshka, rreth paralajmërimeve për mosmbajtjen e edicionit të sivjetmë jubilar, të festivalit tradicional “Zambaku i Prizrenit”, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.

Dega e AAK-së në Prizren, e përkrahur edhe nga grupit i kuvendarëve të PDK-së në opozitë, kanë kërkuar mbledhje të jashtëzakonshme të KK-së, duke akuzuar drejtorin Oreshka, si përgjegjës për mosmbajtjen e edicionit të 30 të festivalit të këngës së vjetër qytetare “Zambaku i Prizrenit”.

“Kërkojmë shkarkimin e drejtorit të Kulturës nga kryetari e nëse kjo nuk ndodh kërkojmë dorëheqjen e kryetarit të Komunës”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

Kjo  është hera e parë që në këtë përbërje, KK mblidhet në seancë të jashtëzakonshme dhe kësaj radhe sipas kërkesës së opozitës. Pas seancave të rregullta, të mbajtur në pjesën e parë të vitit, organi më i lartë lokal ndodhet në pushime, por rregullore e ka obliguar, që të mblidhet 72 orës pas ndonjë kërkese të së paku 1/3 së anëtarëve për të mbajtur seancë të tillë.

Ky është një sinjal se në Prizren opozita ka filluar me veprime konkrete.

Ndërkaq, një ditë para mbledhjes së jashtëzakonshme,  Haskuka ka njoftuar për siç ka thënë fillimin e përgatitjeve për festivalin “Zambaku…” por nuk ka konkretizuar asgjë për kohën e mbajtjes së tij.

Mbledhja e KK-së është caktuar në orën 13:00./GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.