Asamblisti në Malishevë dënohet me 600 euro gjobë pasi kishte pranuar fajësinë për mosdeklarim të pasurisë në afatin ligjor

Asamblisti në Komunën e Malishevës, Valon Krasniqi, i akuzuar për mosdeklarim të pasurisë, të hënën, është dënuar me  600 euro gjobë nga Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Njazi Morina, dënimin me gjobë, i akuzuari është i obliguar ta paguaj brenda pesëmbëdhjetë ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Krasniqi, po ashtu, obligohet që të paguajë edhe paushallin gjyqësor prej 30 eurosh, si dhe 30 euro për kompensimin e viktimave.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Krasniqi është shpallur, pasi ai paraprakisht në seancën e datës 17 nëntor kishte pranuar fajësinë për veprën penale.

Sipas aktakuzës, ai nuk deklaron pasurinë e tij në afatin e rregullt vjetor që është dashur ta bëjë deri më 31 mars 2020, i cili ishte shtyrë deri më 19 qershor 2020, me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës për parandalimin e pandemisë Covid-19, edhe pse përkundër asaj që i njëjti ka qenë i njoftuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit.

Për këtë, Valon Krasniqi, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e cila dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohet të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.