Asnjë rast me ethe hemorragjike në Malishevë
Autoritetet komunale të Malishevës kanë njoftuar se sivjet nuk është regjistruar asnjë rast i infeksionit me virusin e etheve hemorragjike Krime Kongo (EHKK), pavarësisht thumbimeve nga rriqrat.
Në të njëjtën kohë kanë theksuar se rastet e thumbimeve janë më të pakta, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Ne jemi duke monitoruar situatën dhe deri më tani nuk kemi raste të infeksionit, por edhe rastet e thumbimeve janë më pak se vitet paraprake, krahasuar me periudhën e njëjtë”, ka deklaruar nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha.
Zyrtari i lartë në ekzekutivin lokal njëkohësisht udhëheq shtabin komunal për menaxhimin e situatës endemike me EHKK, dhe në këtë cilësi, sipas një njoftimi të Zyrës komunale për informim, rishtazi ka vizituar edhe Klinikën Infektive në Prishtinë, ku është njoftuar nga stafi i saj se asnjë rast nga Malisheva nuk është i prekur me virusin e etheve hemorragjike Krime Kongo (EHKK).
“Aktualisht në Klinikën Infektive është një person i shtrirë, që ka qenë i dyshuar, por sipas të gjitha analizave të bëra, personi i shtrirë nuk është i infektuar me virusin e EHKK dhe gjendjen e ka stabile”, ka deklaruar Berisha.