Maturantët e klasave me mësim në gjuhën boshnjake të shkollave të mesme të Prizrenit, kanë mbajtur mbrëmjen e tyre më të këndshme të jetës shkollore.
Me këtë rast ata kanë krijuar një atmosferë të zjarrtë dhe emocionale, duke kujtuar momentet më të bukura nga periudha trevjeçare në shkollimin e mesëm.
Të shoqëruar edhe nga mësimdhënësit, mbi 200 maturantë kaluan çaste të mrekullueshme dhe të paharruara, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Të ftuar në manifestimin e tyre ishin edhe zyrtarë dhe mësimdhënës shqiptarë të shkollave, ndërsa ajo që është karakteristikë e kësaj mbrëmje ishte se pos muzikës në gjuhën boshnjake, janë interpretuar edhe disa pika muzikore në shqip, duke dëshmuar edhe një herë traditën e marrëdhënieve të mira në Prizrenin e kulturës.
Nga kjo mbrëmje e rëndësishme e jetës së tyre, shoqëruar me mbishkrime nga më të ndryshmet rreth përshtypjeve, maturantët e këtij komuniteti kanë postuar shumë foto nëpër rrjete sociale, duke marrë pëlqime e komente të shumta.
Zyrtarë të shkollave në Prizren, kanë pohuar se nga kjo gjeneratë ka shumë nxënës me suksese të shkëlqyeshëm, të cilët padyshim se pritet të regjistrohen nëpër institucionet e arsimit universitar në Kosovë e jashtë saj./GazetaePrizrenit.net/