Audio-inçizim, si u planifikua vrasja e trefishtë në Gjakovë, biseda mes dy personave
Manol Gjidodaj është i dyshuari për tentim-pagesën e kryerjes së një vrasje të trefishtë në Gjakovë.
Gjidoda po dyshohet se nga fundi i muajit janar të vitit 2020, në lokalin “Scorpion” në Gjakovë, me dashje ka shtyrë personin tjetër, Lekë Marku që të kryej vrasjen e trefishtë, duke i premtuar shuma të larta të të hollave për kryerjen e këtyre vrasjes.
Gjidoda dyshohet se e ka thirrur fillimisht Lekë Markun për të biseduar rreth shitblerjes së një banese, ndërsa më pas negocion kryerjen e vrasjes së trëfishtë, duke ofruar para të majme për këtë.
Në audio-inqizimin e siguruar nga Indeksonline dëgjohet duke folur i dyshuari Gjidoda në bisedën me Markun të cilit i premton 320 mijë euro për kryerjen e vrasjes së trefishtë.
Cak i Gjidodës dyshohet se ishin Gjelbrim Gjoshi, Brahim Shala dhe djali i tij që ndodhet në burg.
Gjidoda nga fshati Planqor i Gjakovës dyshohet se kishte ardhur nga Gjermania për të planifikuar vrasjen e trefishtë, me të cilët kishte probleme në të kaluarën, raste të cilat janë të njohura për Policinë dhe Prokurorinë.
Por, personi që po negociohej për kryerjen e vrasjes, Lekë Marku, pak ditë më pas kishte ftuar në takim Gjelbrim Gjoshin të cilin e njofton për planin që ai të vritej, bashkë me dy të tjerë.
Më pas, prokuroria kishte urdhëruar paraburgimin e të dyshuarit Gjidoda për kryerjen e veprës penale “shtytje në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë në tentativë”, nga neni 173 paragagrafi 1, nënparagrafi 1.8 e lidhur me nenin 32 paragrafin 3 dhe nenin 28 të KPRK-së.
Por, skandali i këtij rasti është se i dyshuari për vrasjen e trefishtë, gati 1 muaj pas qëndrimit në paraburgim, është dërguar në arrest shtëpiak.
Indeksonline ka kontaktuar Prokurorinë Themelore të Gjakovës ku konfirmohet ndërrimi i masës së arrestit për Manol Gjidodajn.
“Bazuar në pyetjet e juaja, për rastin në fjalë, drejtuar Prokurorisë Themelore në Gjakovë, ju njoftojmë se:
I pandehuri ka qenë në paraburgim për 1 muaj, dhe i është ndërruar masa në arrest shtëpiak.
Është intervistuar i pandehuri, dy dëshmitarë të dëmtuar, dhe ka mbetur për tu intevistuar edhe një dëshmitarë i cili gjendet jashtë Shtetit.
Arsyeja e ndërrimit të masës ka qenë për shkak se, rreth rastit vetëm është zhvilluar një bisedë mes të pandehurit dhe një dëshmitari, që pas gjitha veprimeve të ndëmarra nga prokurori i Shtetit, të hollat të cilat kinse janë premtuar për kryerjen e vrasjes , nuk dihet se nga kush janë ofruar, dhe se rasti si i tillë ka mbetur vetëm si tentative, dhe asnjëhere nuk janë dhënë ato to holla” thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Gjakovës.
Indeksonline ka kontaktuar edhe personat që ishin cak për vrasje të cilët kanë thënë se nuk ndjejnë aspak siguri, sidomos pas vendimit për lirimin e Manol Gjidodës na arrest shtëpiak.
Ata kanë thënë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me të gjithë akterët e drejtësisë dhe se kërkojnë veprime konkrete ndaj personave që planifikojnë vrasjen e tyre./Indeksonline/
https://indeksonline.net/ekskluzive-audio-inqizim-si-u-planifikua-vrasja-e-trefishte-ne-gjakove-biseda-mes-dy-personave-0/