Ish-eprori i UÇK-së rrëfen për Behajdin Allaqin: Thaçi e Veseli nuk kanë qenë aty
Bedri Zyberaj, ish-epror i UÇK-së në Shtabin e Drenocit të Rahovecit, ka folur në një intervistë ekskluzive për Lirim Mehmetajn në “VOX Kosova” për rastin e Behajdin Allaqit.
Rasti i Allaqit është përmendur në aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Prokuroria e Specializuar kishte pretenduar se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ishin ndër personat që e kishin parë për herë të fundit Allaqin dhe se ndaj tij ishte kryer vrasje.
Zyberaj ka rrëfyer për takimet që kishte pasur me Allaqin, duke treguar edhe se si e kishte strehuar atë në shtëpinë e tij.

Sipas tij, Allaqi kishte shkuar në Shtabin e UÇK-së në Drenoc në qershor, ku kishte kërkuar informacione për Shaban Shalën.
“Ai ka ardhur një herë Behajdini te ne, ka ardhur në shkollë tek unë. Në qershor. Kur ka ardhë e ka kërkuar personin Shaban Shala. Më tha që kam dëgjuar se Shaban Shala është në shtabin tonë. I thashë si ushtar apo si çfarë? Më tha: jo, kam dëgjuar se është i ndaluar. I tregova se jo nuk kam dijeni për këtë. I tregova që s’është kompetencë e imja. E drejtova te Gani Paqarizi që ishte kompetent”, ka rrëfyer Zyberaj.
Ai ka treguar se më vonë Allaqi kishte kërkuar të shkonte në shtëpinë e tij, pasi zona ishte e izoluar dhe nuk kishte mundësi të kthehej në shtëpi.
“U ndje pak i lodhur, më ka kërkuar të shkojë në familjen time. I kam dërguar fëmijët nga shkolla me e përcjellë deri në shtëpinë time. Ka shkuar në familjen time, me fjetë. Atë natë s’ka pasë me çka me u kthy në shtëpi të vet, i kam bo konak në shtëpinë time. Se deshti me shku, po s’pat me çka, se izolim. Të nesërmen ka shku në Prizren”, ka deklaruar ai për “VOX Kosova”.

Zyberaj ka treguar se Allaqi ishte kthyer edhe një herë tjetër pas disa ditësh.
“Ka ardhur përsëri herën e dytë. Pas disa ditësh ka ardhur prapë, e ka pasë një letër në dorë, të formatit A4, gjysmë të shkruar, më ka ra në sy. E nxorri prej një kese, i kish sjellë ca gjëra vajzës sime dhe një plin për kafe për familjen tonë se tha paski shumë mysafirë”, ka thënë ai.
Sipas Zyberajt, më pas Allaqi ishte larguar sërish bashkë me Gani Paqarizin.
Ai ka treguar se rreth dy javë më vonë kishte nisur interesimi i miqve dhe shokëve për vendndodhjen e Allaqit.
“Pyesnin ku është Behajdini. E pyeta Ganiun, se ai ishte personi i vetëm që ishte me të. Unë s’mund të them se ishte edhe dikush, sepse veç me Ganiun, Behajdini kishte shku”, ka rrëfyer Zyberaj.
Ai ka treguar edhe përgjigjen që, sipas tij, ia kishte dhënë Gani Paqarizi.
“E pyeta Ganiun, çka është puna e Behajdinit se po thonë s’ka ardhë. Tha: ‘Jo more, ka kry punë me neve çka ka pasë edhe e kam përcjellë, ka shku për shpi’. Këto janë fjalët e Gani Paqarizit që m’i ka thanë mu, që ka nejt i fundit me të”, ka deklaruar Zyberaj.
Zyberaj ka theksuar se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli nuk kishin qenë në Shtabin e Drenocit në kohën kur ai e kishte takuar Allaqin.
“Aty ku e kemi taku ne, atë s’ka qenë në shtab Kadri Veseli as Hashim Thaçi. Me pasë qenë ata në shtab, unë e kisha ditë, i kisha pa. S’kanë qenë aty ato ditë fare”, ka thënë ai.

Zyberaj ka treguar se interesimi për fatin e Allaqit kishte vazhduar gjatë vitit 1998.
Sipas tij, në fund të atij viti, njëra nga motrat e Allaqit i kishte kërkuar përgjigje me shkrim për gjithçka që dinte.
“Një muaj e gjysmë mas kësaj kohe kur janë kthy, interesimi për Behajdinin ka qenë i vazhdueshëm gjatë vitit ’98. Isha në Krushë të Madhe, në fund të ’98-ës. Ka ardhur një nga motrat e Behajdinit, më kanë kërkuar përgjigje me shkrim për gjithçka që di”, ka rrëfyer ai.
“Unë edhe në letër edhe tani po e tregoj atë që e kam pa, e kam qenë dëshmitar. Dëshminë ia kam dhënë, katër faqe me shkrim dore, në detaje kam rrëfye”, ka thënë Zyberaj.
Ai ka folur edhe për intervistat që kishte dhënë për autoritetet e drejtësisë.
“Për fatin e Behajdin Allaqit më kanë intervistuar edhe Prokuroria Speciale në Kosovë më 2018, Syle Hoxha, edhe Prokuroria e Dhomave të Specializuara në janar 2020, pra Gjykata Speciale. Të dy fjalët jau kam edhe dhënë të dy prokurorëve”, ka deklaruar Zyberaj.
Sipas tij, në shkurt të vitit 2023 ishte kontaktuar nga Dhomat e Specializuara dhe ishte njoftuar se mund të thirrej si dëshmitar në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

“Më thanë: ‘Siç mund ta dish tani, në mars pritet procesi të fillojë në rastin e Thaçit dhe të tjerëve, dhe ti je dëshmitar i Prokurorisë, të vjen koha si dëshmitar, në fund të vitit 2023 ose 2024’. Më tha: ‘Nëse mbrojtja tenton të ju kontaktojë, na trego neve’”, ka rrëfyer ai.
Zyberaj ka thënë se, megjithatë, nuk ishte njoftuar nëse ishte hequr nga lista e dëshmitarëve dhe nuk ishte ftuar për të dëshmuar.
Sipas tij, ajo që kishte treguar për herën e fundit kur e kishte parë Behajdin Allaqin në Shtabin e Drenocit, përfshirë edhe personat që ishin me të, është pjesë e dëshmisë që ua kishte dhënë autoriteteve.
