Auditori i gjen mangësi Komunës së Prizrenit në projektin e shtigjeve për biçiklistë
Zyra Kombëtare e Auditorit (ZKA) ka gjetur se në projektin “Rregullimi i shtigjeve për biçikletë Downhill” në vlerë afro 9. 000 euro, Komuna e Prizrenit nuk e kishte hartuar projektin ekzekutiv, por vetëm paramasën dhe parallogaritë, raporton Gazeta e Prizrenit.
Udhëzuesi Operativ për Prokurimin Publik (UOPP) kërkon që “specifikat teknike për kontratën e punës, duhet të përfshijnë një projekt ekzekutues si pjesë substanciale të veten, ndërsa asnjë Autoriteti Kontraktues nuk i lejohet që të lëshojë dokumentacionin e tenderit pa bashkëngjitur përshkrimin e hollësishëm të projektit.
“Në kontratën “Rregullimi i shtigjeve për biçikletë Downhill” në vlerë prej 8,830€ e nënshkruar më dt.21.09.2020, komuna nuk e kishte hartuar projektin ekzekutiv, por kishte iniciuar procedurat e prokurimit duke përgatitur vetëm para masën dhe parallogaritë”, thuhet në raportin e Auditimit për Komunën e Prizrenit për vitin 2020, përcjell Gazeta e Prizrenit.
Në raport thuhet se shkaqet e mos hartimit të projektit ishin neglizhenca e zyrtarëve përkatës dhe fakti që procedurat e prokurimit të mos vonohen.
“Zhvillimi i procedurave të prokurimit pa një projekt të hartuar paraprakisht mund të ndikoj që punimet e zbatuara në këtë projekt të devijojnë nga kërkesat standarde të ndërtimit dhe të mos arrijnë cilësinë e duhur” thuhet në raportin e ZKA-së.
Me këtë rast, Kryetarit të Komunës i kërkohet të sigurojë që hartimi i projekteve ekzekutive të realizohet në pajtim me kërkesat ligjore, gjegjësisht hartimin e tyre para inicimit të procedurave të prokurimit. /GazetaePrizrenit.net
Lexo edhe:
Auditori gjen mangësi në rekrutimin e stafit nga Drejtoria e Arsimit në Prizren