23-11-2024

Autobusët për Prishtinë në grevë, katër persona shoqërohen në polici (foto)

Prizrenasit as sot nuk kanë mundur të udhëtojnë për në Prishtinë me autobus. Shoqata e transportueseve privat “Kosova e lirë” në Prizren ka vazhduar grevën e nisur dje,  në kundërshtim të një linje që i është dhënë një operatori për të qarkulluar nëpër autostradë, të cilin transportuesit prizrenas sot nuk e kanë lejuar të hyjnë në stacionin e autobusëve, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.

Shoqata “Kosova e lirë” ka kundërshtuar mundësimin e linjës për të qarkulluar nëpër autostradë, vetëm të një operatori dhe atë në dy nisje. Ata kanë kërkuar anulimin e vendimit nga Ministria e Infrastrukturës, të cilës po ashtu i kanë kërkuar lejimin e 18 nisjeve, apo që secilit nga operatorët transportues t’i lejohet nga një e tillë.

Transportuesit prizrenas kanë thënë se deri në përmbushjen e kërkesave të tyre nuk do të operojnë në relacionin Prizren-Prishtinë.

Në mëngjes, rreth orës 6, në shenjë greve transportuesit janë ulur në Stacionin e autobusëve, për të penguar lëvizjen e të vetmit autobus, ndërsa policia ka intervenuar duke i shoqëruar katër prej grevistëve në stacion policor për t’i intervistuar.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Hazir Berisha, ka thënë se prokurori ka vendosur që ndaj tyre të bëhet fletëparaqitje për kundërvajtje për Prishje të rendit dhe qetësisë publike, derisa një shoferi i është shqiptuar një gjobë prej 150 euro.

“Kjo ka ndodhur për shkak të pengimit të lëvizjes së autobusëve në hyrje të stacionit të autobusëve në Prizren”, tha ai, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

Florim Gashi, pronar i kompanisë “Atmaxha trans” në Prizren, ka thënë se transportuesit janë të vendosur për ta vazhduar grevën derisa të arrihet marrëveshje me organet përkatëse.

Mbështetur në shënimet e transportuesve, brenda ditës në relacionin Prizren-Prishtinë, qarkullojnë diku rreth 1.800 pasagjerë me të gjitha kompanitë/GazetaePrizrenit.net/

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.