Një pjesë e opozitës në Serbi, e kritikon këtë projekt duke akuzuar qeverinë, që autostrada që çon në Kosovë dhe Shqipëri, nuk është në interesin kombëtar të Serbisë.

Ministrja Mihajloviq ka nënshkruar një marrëveshje të kredisë në vlerë 100 milionë euro për ndërtimin e autostradës Nish-Merdare me Miguel Morgadon, drejtor i Sektorit të Ballkanit Perëndimor në Bankën Evropiane të Investimeve. Gjithashtu, është nënshkruar edhe një kontratë ndihme prej 40.6 milionë eurosh.

Ky është një hap i vogël, por i rëndësishëm për rajonin, tha komisionarja për Transport e Bashkimit Evropian, Violeta Bultz, e cila mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes.

“Po ashtu, ky projekt është një shembull konkret i bashkëpunimit dhe pajtimit gjithnjë e në rritje ndërmjet popujve, të Serbisë dhe atij të Kosovës”, tha Bultz.

Ndërtimi i autostradës së ardhshme Nish-Merdare me gjatësi prej 77 kilometrash duhet të fillojë në tremujorin e tretë të vitit 2020, sipas një njoftimi të Qeverisë së Serbisë.

Fillimi i punimeve ka të bëjë me rrugën e parë të autostradës nga Nishi deri në Ploçnik dhe, sipas ministres Mihajloviq, për këtë duhen dy vjet e gjysmë. Pjesa tjetër e parave, deri në 250 milionë euro, do të sigurohet përmes një kredie të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe buxhetit të shtetit serb.

Vlera e trasesë së dytë prej 44 kilometrash nga Ploçniku deri në Merdare, në kufi me Kosovën, do të kushtojë rreth 570 milionë euro.

Në anën tjetër, pala kosovaree ka përfunduar pjesën më të madhe të autostradës nga Prishtina në Merdare.

Autostrada Nish-Prishtinë-Merdare do t’i krijojë qasje Serbisë në portin shqiptar të Durrësit në Detin Adriatik. Ajo gjithashtu do të lidhë rreth gjysmë milioni qytetarë serbë që jetojnë në Pirot, Nish dhe Toplicë.

Autostrada Nish-Merdare-Prishtinë është një nga projektet e propozuar në kuadër të Procesit të Berlinit, një iniciativë diplomatike e nisur në vitin 2014 nga kancelarja gjermane Angela Merkel, me qëllimin për të mbështetur paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal. /rtklive