Avokati kosovar: Policia dështoi në planifikimin e bastisjes në Zhur
Policia ishte thirrur nga vajza 7-vjeçare e të dyshuarit, e cila e kishte lajmëruar të atin për dhunë në familje.
Por në shtëpinë e Iran Badallit, policia u ndesh me një eksploziv i cili ia mori jetën njërit prej zyrtarëve policor, ndërsa një tjetër e la me lëndime të rënda.
Avokati Arianit Koci po thotë se në raste të tilla kur policia shkon për të bastisur një shtëpi, duhet të marrë masat e nevojshme për të ndërhyrë.
Koci po e sheh si dështim mënyrën se si është kryer bastisja.
“Me gjithë respektin për policët që në baza ditore sakrifikojnë për të na bërë Kosovën më të sigurt, bastisjet si ajo që është bërë në Zhur, nuk bëhen në atë mënyrë. Zinxhiri komandues, e deri te policët që janë në terren në këtë rast, me keqardhje po e them – kanë dështuar. Duhet të bëhen trajnime se si bëhen bastisjet”, ka thënë Koci për Gazetën Express.
Koci thekson se në raste të cilat mund të jenë më urgjente, të paktën duhet të dihen disa informata bazike se ku do të zhvillohet aksioni.
“Edhe pse shpesh ndodh që të mos ketë kohë të mjaftueshme, policia para bastisjes i merr disa të dhëna elementare operative nga inteligjenca e saj: Kush është personi ndaj të cilit është bërë ankesa; a ka të kaluar kriminale, a ka histori të dhunshme. A mund të ketë armë apo eksploziv – dhe informata të tjera të kësaj natyre. Përveç këtyre informatave bazike, bëhet një plan për ndërhyrje”, thotë Koci.
Avokati thotë se me planifikim më të mirë të policisë, rastet e tilla mund të realizohen pa pasur pasoja në njerëz.
“E kuptoj që disa raste janë urgjente, dhe policia duhet patjetër të veprojë dhe të ndërhyjë, por aksioni policor është më të mirë të planifikohet mirë, se pastaj të kemi viktima. Me planifikim të mirë, nuk po mendoj vetëm në viktima në anën e policisë. Sidoqoftë, çdo bastisje i bartë me vetë rreziqet e veta”, thotë Koci.
Ndërkaq ai thekson se policia i ka data bazat e veta të informatave, dhe kur ka informacione që personi i cili potencialisht po kryen apo ka kryer një krim, duhet që të shkohet me përforcime policore adekuate.
Kujtojmë se në data bazën e organeve të gjyqësorit në vend, Iran Badalli njihet për të kaluar kriminale.
Ai në Gjykatën Themelore të Prizrenit është në proces gjyqësor për gati dhjetë vepra penale.
Për një nga to madje edhe i dënuar me gjashtë muaj burgim.
Dhunë në familje, vjedhje të shërbimeve komunale, vjedhje të pyllit, urdhër mbrojtje nga ai. Kanosje e vjedhje e rëndë, janë vetëm disa nga veprat me të cilat rëndohet i dyshuari për vrasjen e policit Sami Thaqi mbrëmë në Zhur.
Por, ani se i akuzuar për shumë vepra, Badalli për vite me radhë shëtitej i lirë rrugëve të Prizrenit duke kanosur kështu edhe gruan dhe të tre fëmijët e tij.
Express përmes Gjykatës Themelore të Prizrenit ka siguruar të gjitha veprat penale me të cilat rëndohet Iran Badalli, i dyshuari për vrasjen e policit Sami Thaqit.
Nga databaza e Gjykatës Themelor të Prizrenit figurojnë këto të dhënave ndaj të akuzuarit Iran Badallaj:
Urdhër mbrojtje për palën e mbrojtur e lëshuar me datën 05.08.2019. Vjedhje e shërbimeve komunale e pranuar me datë 13.08.2019 – lënda është aktive. Vjedhja e shërbimeve komunale e pranuar me datë 26.11.2019 – lënda është aktive. Vjedhje e shërbimeve komunale e pranuar me datë 11.12.2019 – lënda është aktive. Dhuna në familje e pranuar me datë 03.09.2019 – lënda është aktive, shqyrtimi i dytë është mbajtur 15.01.2020,seanca e radhës është caktuar të mbahet me datë 12.02.2020 ora 11:00. Vjedhje e pyllit e pranuar me datë 27.11.2019 – lënda është aktive. Kanosje e pranuar me datë 14.05.2018 – hudhet aktakuza. Vjedhje e rëndë e pranuar me datë 23.08.2018 – lënda është aktive. Vjedhje në bashkëkryerje e pranuar me datë 21.10.2013 – dënim me burgim 6 (gjashtë) muaj dhe dënim me gjobë në shumën prej 300 euro.
Badalli madje për shtatë vepra është aktiv, duke u gjykuar nga Gjykata Themelore e Gjilanit.
Për shpërthimin e eksplozivit i cili la të vdekur policin Sami Thaqi dhe të lënduar rëndë Arur Mrasorin, Badallit i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh./GazetaExpress