Avokati, kundërshton paraburgimin e klientit, që akuzohet për falsifikimin e 230 mijë eurove në Prizren
Gjykata Themelore në Prizren, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Ersun Malokut nga Prizreni, i cili dyshohet se ka kryer veprat penale të armëmbajtjes pa leje, falsifikimit të parave dhe veprës penale të fajdesë.
Një masë e tillë është caktuar nga gjykatësi i procedurës paraprake, Skënder Çoçaj sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prizren dhe do të vlejë deri më 11 korrik 2018.
Prokurori Metush Biraj, gjatë seancës për shqyrtimin e kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, ka deklaruar se organi i akuzës kërkon caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit me arsyetimin se, për shkak të peshës së veprës penale, i njëjti mund të arratiset.
Biraj tutje ka thënë se i pandehuri mund të tentojë të pengojë procedurën penale duke ndikuar në dëshmitarët dhe se duke u bazuar në karakteristikat dhe sjelljet e mëparshme të tij, ai mund të përsërisë veprimet e njëjta penale.
Ndërsa mbrojtësi i të pandehurit, avokati Arben Ramadani ka kundërshtuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, duke thënë se nuk ka dyshim të bazuar mirë se klienti i tij të ketë kryer veprat penale të fajdesë dhe falsifikimit të parasë.
Ramadani ka thënë se shumë lehtë edhe me një shikim të lirë mund të vërehet se paratë që dyshohen si të falsifikuara nuk e kanë fare përsosmërinë për t’u hedhur në treg, pasi që vërehen se nuk janë të vërteta. Ndërsa vepra e fajdesë, sipas Ramadanit, bazohet vetëm në dy emra të gjetur te i dyshuari.
Andaj, sipas avokatit në këtë rast mbetet vetëm vepra penale e armëmbajtjes pa leje, për të cilën ka prova dhe i pandehuri e pranon fajësinë, e që nuk mjafton për të arsyetuar masën e paraburgimit si masa më e rëndë por se mund të arrihet qëllimi edhe me masën e arrestit shtëpiak apo atë të paraqitjes në polici.
Ndryshe, më 11 qershor 2018, gjatë një kontrolli të automjetit të të pandehurit Ersun Maloku, zyrtarët policorë kanë gjetur një revole të tipi “Glock” ndërsa pas bastisjes së bërë në banesën e tij, është gjetur një granatë dore, më shumë se 100 fishekë të kalibrave të ndryshëm, një kuti për municion, një elektroshok dhe një palë pranga.
Po ashtu gjatë bastisjes i janë gjetur rreth 230 mijë euro të dyshuara si të falsifikuara për të cilat dyshohet se i pandehuri ka dashur t’i vë në qarkullim si të vërteta dhe po ashtu i janë gjetur disa marrëveshje për të cilat dyshohet se kanë të bëjnë me fajde./betimiperdrejtesi/