Baldedaj: Tenderin për pastrimin e Prizrenit e ka fituar një kompani nga Podujeva, që disa automjete i ka të regjistruara në Serbi
Shefi i Grupit të Kuvendarëve të AAK-së në Prizren, Ilir Baldedaj, sot në një konferencë shtypi ka kritikuar pushtetin lokal për keqqeverisje dhe keqmenaxhim me komunën.
“Prizreni po drejtohet nga një kryetar turist dhe nga banda të pushtetit, duke degraduar segmente të rëndësishme siç janë sporti e kultura, si dhe ka përmendur tenderin për pastrimin e qytetit”, tha ai.
Përfaqësuesi i AAK-së e ka vlerësuar të papranueshme, që tenderin e komunës për pastrimin e qytetit ta fitojë një kompani nga Podujeva, e cila disa automjetet të saj i ka të regjistruara në Serbi, ndërsa për këtë ka paraqitur edhe disa dokumente të foto-kopjuara:
Baldedaj ka thënë së qeveria komunale, po i injoron kompanitë lokale me mbi 200 punëtorë, të cilat paranë e shpenzojnë në Prizren, me makineri të përsosur që i regjistrojnë po ashtu në Prizren, ndërsa tenderi i jepet një kompanie nga një qytet tjetër. Ai tha se për këtë çështje do t’i drejtohet edhe organeve të hetuesisë dhe të drejtësisë, pasi që komuna sipas tij, nuk po i përfill as vendimet e OSHP-së.
Nga vitet e pasluftës, mirëmbajtja dhe menaxhimi i pastrimit është bërë nga tri kompani, të cilat sipas tij, fal angazhimit të suksesshëm, kanë mundësuar që Prizreni të njihet si qyteti më i pastër në vend.
Sipas tij, për shkak të problemeve me këtë tender të shumëpërfolur, gjendja këtë vit në shumë hapësira gjelbëruese në lagje të ndryshme të Prizrenit, le shumë për të dëshiruar.