Në Prizren mbahet festa mbarëkombëtare e Abetares

Sot në Prizren është mbajtur manifestimi tradicional “Festa e Abetares”.

Blind Ismaili nga Shkupi, thotë se është krenar që shkolla e tij e mban emrin e Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, dhe i lumtur që po merr pjesë në Festën e Abetares në Prizren. Pas mësimit të shkronjave, ai tregon se cilën nga ato e pëlqen më së shumti dhe për çfarë arsye. Mësuesja, Leonora Bytyçi nga shkolla “ Hamëz Thaçi”, në Xërxe të Rahovecit, tregon se cilat janë angazhimet që kanë mësimdhënësit me nxënësit të cilët fillojnë mësimet në klasën e parë.

Në këtë ngjarje, ishin të pranishëm nxënës të shkollave të ndryshme nga hapësirat mbarëshqiptare, si dhe kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi, dhe ministrja e Arsimit e Shqipërisë Besa Shahini, si dhe të tjerë. Kryetari Haskuka, si nikoqir falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen, ndërsa shtoi se sistemi arsimor në vend po ballafaqohet me probleme dhe sfida.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, tha se Festa e Abetares është një ngjare e nj rëndësie të veçantë, jo vetëm për nxënësit dhe mësimdhënësit, por për tërë kombin shqiptar, duke paralajmëruar se në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit të Shqipërisë, pritet të arrihet marrëveshje edhe me Maqedoninë e Veriut , për unifikimin e sistemit arsimor.

Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Besa Shahini, tha se bashkëpunimi në fushën e arsimit, është obligim kombëtar. Sot e kemi një planprogram që përdoret si në Kosovë si në Shqipëri. Kemi abetaren e unifikuar, kemi edhe disa libra që përdoren njëjtë dhe kemi synimin që bashkërisht të shkojmë drejt një unifikimi total e gjithçkaje që përdoret në arsimin parauniversitar.Ardiana Shehu, përfaqësuese e ministrisë së Arsimit nga Maqedonia e Veriut, tha se një abetare e përbashkët do të unifikonte tërë kombin shqiptar.

Një fjalë rasti mbajti edhe Driton Rexhepi, drejtor i Arsimit në Bujanoc. Pjesëmarrës në këtë manifestim ishin shkolla nga Shqipëria, nga Maqedonia poashtu edhe nga shumë qytete të Kosovës, Prizreni, Prishtina, Peja , Gjakova e tjerë./tvprizreni.info/