22-11-2026

“Respoetica” sjell në Prizren letërsinë, poezinë, fotografinë dhe filmin dokumentar – nderohet post mortem Edi Shukriu

Në Prizren u mbajt Festivali Letrar Ndërkombëtar Respoetica, me një program të pasur që ndërthur letërsinë, poezinë, fotografinë dhe filmin dokumentar, duke mbledhur autorë dhe artistë në një sërë aktivitetesh të organizuara më 21 dhe 22 nëntor, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Programi nisi dje, në objektin kulturor “Shani Efendiu”, me hapjen e ekspozitës së fotografisë “Përdrita ime e mungume”, nga fotografi Fahredin Spahija. Në këtë aktivitet u promovua edhe libri “Kukullat”, nga autorja Dhurata Hoti.

Mbrëmja e 21 nëntorit iu kushtua poezisë. Në orën 18:00, në Muzeun Arkeologjik të Prizrenit, u mbajt Nata Poetike Respoetica, me pjesëmarrjen e poetëve Primo Shllaku, Marius Chelaru, Rozafa Shpuza, Arti Lushi, Dhurata Hoti, Gabriela Mujaj, Artur Baku, Ardiana Shala, Christos Armando Gezos, Denata Rroji, Marash Mirashi, Liza Brozi, Lumi Hajra, Gazmend Beqaj dhe Eddy Galijusi.

 

Një moment i veçantë i festivalit, sot në “Doku Kino” ishte edhe shpallja e Edi Shukriut laureate post mortem, në shenjë nderimi për kontributin e saj të çmuar në letërsi dhe kulturë.

Po ashtu u promovua romani “Ajo gjasend e paemën”, i autorit Primo Shllaku. Pas prezantimit të veprës dhe bashkëbisedimit me të pranishmit, Shllaku foli edhe për gjendjen në institucionet akademike në Tiranë dhe Prishtinë, duke i cilësuar ato si “thertore” dhe duke ngritur pyetjen se çfarë presin ato: “kush vdes i pari”.

Në kuadër të festivalit u shfaq edhe filmi dokumentar “Nuse”, me regji, skenar dhe muzikë nga Robert Bisha.

Festivali Respoetica, i mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, krijoi në Prizren një hapësirë takimi mes fjalës, kujtesës dhe krijimtarisë artistike, duke e kthyer qytetin në një pikë takimi për zëra të ndryshëm letrarë dhe kulturorë. / Gazeta e Prizrenit /

Asnjë koment

Comments are closed.