20-11-2026

Prizren: Kultivuan mbi gjysmë toni marihuanë, ngrihet aktakuzë ndaj tre personave në Suharekë

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, të cilët dyshohen për kultivimin e kan-bisit dhe posedimin e 512 kilogramëve mar*ihuanë, të zbuluar në shtator të vitit të kaluar në fshatin Maqitevë të Suharekës, percjell Gazeta e Prtizrenit.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit F.N., M.A. dhe B.A., të cilët gjenden në paraburgim, dyshohet se në bashkëkryerje kanë kultivuar kanabis në dy parcela në një zonë malore të Maqitevës, duke instaluar edhe sistem të ujitjes me rezervuar dhe gypa pikë-pikë.

Aktiviteti dyshohet se ka vazhduar deri më 16 shtator 2025, kur gjatë kontrolleve në një shtallë janë gjetur dhe sekuestruar 512 kilogramë marihuanë, e cila ndodhej në fazën e tharjes dhe përgatitjes për shpërndarje e shitje.

Sipas ekspertizës së Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, mostrat e ekzaminuara kanë rezultuar pozitive për kanabis që përmban substancën psikoaktive THC.

Përveç veprave penale që lidhen me narkotikët, tre të pandehurit akuzohen edhe për mbajtje të paautorizuar të armëve. Gjatë kontrolleve, sipas Prokurorisë, janë sekuestruar një raketë krahu antitank, një mortajë dore, një pushkë gjuetie, një pushkë gjysmë automatike dhe municion.

Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Po ashtu, është kërkuar konfiskimi i përhershëm i parcelave, objekteve, narkotikëve, pajisjeve të kultivimit, armëve, municionit, telefonave mobilë, traktorit me rimorkio dhe provave të tjera materiale që dyshohet se janë përdorur ose përfituar nga veprat penale.

Të pandehurit akuzohen për kultivim të bimëve narkotike, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, si dhe për mbajtje të paautorizuar të armëve. Për këto akuza, vendimin përfundimtar do ta marrë gjykata. / Gazeta e Prtizrenit

Asnjë koment

Comments are closed.