22-11-2026

Tragjedi në Itali: 31-vjeçarja shqiptare humb jetën në aksident të rëndë, lëndohen tre fëmijët që ishin me të në veturë

Një aksident i rëndë trafiku ka tronditur mëngjesin e së dielës komunitetin e Prata di Pordenone në Itali, ku një 31-vjeçare me origjinë shqiptare ka humbur jetën tragjikisht, ndërsa tre fëmijë që udhëtonin me të kanë mbetur të lënduar.

Viktima është identifikuar si Emanuela Shahini, banore e kësaj zone. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 11:00 të mëngjesit të 22 nëntorit, teksa e reja po i dërgonte fëmijët drejt Villanova-s, për të marrë pjesë në festën e 10-vjetorit të ditëlindjes së nipit të saj.

Si ndodhi përplasja fatale?

Sipas hetimeve paraprake të karabinierëve, vetura e tipit “Ford Fiesta” me të cilën udhëtonin ka humbur kontrollin në një kthesë, si pasojë e rrugës së lagësht nga reshjet e shiut. Automjeti doli nga rruga dhe u përplas fuqishëm me një shtyllë betoni, e cila u shemb dhe depërtoi në pjesën e përparme të makinës, duke e lënë atë të përmbysur.

Emanuela mbeti e bllokuar mes hekurave të shtrembëruar, çka detyroi ndërhyrjen e menjëhershme të zjarrfikësve për nxjerrjen e saj. Ajo u dërgua me urgjencë në spitalin Santa Maria degli Angeli në Pordenone, por fatkeqësisht nuk u mbijetoi plagëve të rënda, duke ndërruar jetë rreth orës 12:30.

Gjendja e tre fëmijëve

Në veturë me 31-vjeçaren ndodheshin edhe tre të mitur: djali i saj 6-vjeçar, vajza 4-vjeçare dhe një shoqe e tyre 10-vjeçare. Për fat të mirë, fëmijët arritën të dilnin vetë nga automjeti menjëherë pas përplasjes.

Vajza 4-vjeçare u transportua me helikopter mjekësor drejt spitalit të Udines për trajtim më të specializuar.

Dy fëmijët e tjerë u dërguan në spitalin e Pordenones me dëmtime dhe mavijosje të lehta, ku po mbahen nën vëzhgimin e mjekëve.

Hetuesit po vijojnë punën për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit dhe për të verifikuar nëse të gjithë pasagjerët kishin të vendosur rripin e sigurimit.

Tronditje në komunitet dhe reagimi i kryetares së bashkisë

Humbja e parakohshme e nënës së re ka shkaktuar dhimbje të madhe te banorët e zonës. Kryetarja e bashkisë së Prata di Pordenone, Katia Cescon, ka ngushëlluar publikisht familjen Shahini.

“Në emrin tim dhe të gjithë administratës bashkiake, shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes së Emanuelës për këtë tragjedi të madhe. Një nënë e re u nda nga jeta shumë shpejt. Një lutje e veçantë për vajzën e vogël që ishte në bord me të, e shtruar në spital, dhe një mendim plot dashuri e afërsi për të gjithë të dashurit e saj”, deklaroi ajo.

Asnjë koment

Comments are closed.