Erërat e fuqishme shkaktojnë dëme në Prizren dhe rajon, disa zona mbesin pa energji elektrike
Sipas KEDS-it, dëmet në infrastrukturën energjetike dhe avaritë e shkaktuara nga erërat e forta e bënë të domosdoshëm intervenimin e ekipeve në terren. Zyrtari i kompanisë, Adlum Ramadani, ka bërë të ditur se qindra ekipe janë angazhuar për sanimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike.
Ai ka përmendur edhe Prizrenin si njërën nga komunat ku janë vërejtur pasoja në rrjetin elektrik.
Probleme pati edhe në komunën e Rahovecit, konkretisht në Krushë të Madhe, ku erërat dëmtuan kulmin e një biznesi. Pjesë të kulmit, përfshirë llamarinat, përfunduan në rrugën Gjakovë–Prizren, duke rrezikuar sigurinë e qarkullimit. Ekipet e zjarrfikësve intervenuan për largimin e tyre nga rruga.
Ndërkohë, në zonën e Shadërvanit në Prizren, erërat e forta dëmtuan dhe rrëzuan tavolinat e karriget e lokaleve të gastronomisë.
Në Prizren janë evidentuar gjithashtu probleme në rrjetin elektrik, si pasojë e kushteve të pafavorshme atmosferike.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës kishte paralajmëruar erëra me shpejtësi prej 30 deri në 45 kilometra në orë, me rafale edhe më të fuqishme. / Gazeta e Prizrenit /


