19-04-2024

Balje: Zgjedhjet s’do të sjellin ndryshime, por vetëm bllokim të shtetit

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, njëherit edhe kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Duda Balje tha se nuk është koha për zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi sipas saj, një gjë e tillë nuk do të sjell ndryshime, por vetëm bllokim të funksionimit të shtetit.

“Unë mendoj se me zgjedhje nuk mund të ndryshojmë asgjë madje mund ta bllokojmë shtetin sepse do të jetë shumë vështirë për të formuar Qeverinë dhe është në pyetja çështja e presidentit në tavolinë dhe unë mendoj se na vetëm e bllokojmë shtetin nëse shkohet në zgjedhje”.

 

Bajle tha se ende nuk kanë biseduar për emër të kandidatit për president të vendit.

Megjithatë, ajo tha se nga informatat që kanë marrë kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë Ramush Haradinaj ka shprehur dëshirën të jetë president i vendit.

“Për presidentin e Kosovës ende nuk kemi folur. Ne kemi informata se zotëri Haradinaj ka dëshirë të jetë president dhe kemi marrë edhe një letër prej një qytetari të Kosovës i cili ka thënë se dua të jem president i vendit. Domethënë ne ende nuk kemi folur për emër dhe unë mendoj që komunitet tjera dhe ne do të përkrahim atë që ka shumicën e votave në Kuvend”.

Ajo e sheh shumë shqetësuese çështjen e vaksinës, pasi sipas saj, shumë qytetarë janë kundër vaksinës si rrjedhojë e dezinformatave për efektin negativ të saj në shëndetin e njeriut.

“Unë kam frikë se një numër serioz i qytetarëve të Kosovës janë kundër vaksinës sepse kanë marrë shumë dezinformata se vaksina është e dëmshme për shëndetin dhe mendoj që duhet të jemi të kujdesshëm për këtë çështje”.

Deputetja Balje potencoi se duhet të fokusohen më shumë në zgjidhjen e çështjeve të brendshme.

Mes tjerash, ajo thotë se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë, dhe theksoi se Kosova duhet të jetë mirë e përgatitur.

“Puna e dialogut është diçka jashtë Kosovës sepse ne kemi krizë brenda shtetit dhe ne duhet të provojmë të bëjmë sa më mirë. Por dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë dhe unë mendoj se nuk duhet me nda Kosovën në pozita dhe opozita sepse ne si Kosovë duhet me qenë si një anë sepse ka disa momente që janë të rëndësishme për persona të pagjetur sepse Serbia ka bërë dëme dhe duhet të paguajë dhe ne duhet të kemi data baza kur ulemi me Serbinë dhe me qenë të përgatitur me fol për gjëra konkrete”.

Tutje, ajo theksoi çështja e të pagjeturve duhet të trajtohet me seriozitet.

“Qysh kemi informata në takimin e fundit me kryeministrin Hoti asgjë nuk shkruhet me Serbinë pa e prekur çështjen e të pagjeturve dhe për mua ka qenë moment i mirë. Por duhet me prekë temën dhe duhet të dimë ku jemi. Ne duhet vazhduar sepse serioziteti është shumë i rëndësishëm në këtë çështje.

Asnjë koment

Comments are closed.