Ballkani nis sot rrugëtimin në Champions
Skuadra kampione e Kosovës, Ballkani do ta zhvillojë sonte ndeshjen e rrethit të parë kualifikues në Ligën e Kampionëve.
Portokallezinjtë nga Suhareka do të përballen me kampionin e Bullgarisë, Ludogorets, në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Dje skuadra e drejtuar nga Ilir Daja ka kryer stërvitjen e fundit në Kampin Nacional në Hajvali, me qëllim të ruajtjes së fushës në stadiumin ku do të zhvillohet ndeshja.
Trajneri i Ballkanit ka thënë se skuadra e tij është e gatshme për këtë duel dhe synon të befasojë skuadrën bullgare.
Edicionin e kaluar Ballkani u eliminua nga Liga e Kampionëve, por më pas arriti suksesin historik, duke arritur në fazën e grupeve në Ligën e Konferencës.
Ndeshja Ballkani – Ludogorets fillon në orën 20:45, derisa ndeshja e kthimit zhvillohet në Bullgari më 19 korrik.