22-11-2024

Banka Botërore paralajmëron krizë më të gjatë ekonomike për Kosovën nëse kufizimet zgjasin deri në shtator

Banka Botërore ka publikuar një raport sipas të cilit Kosova do të ketë një rënie ekonomike prej 4,5% si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga pandemia COVID-19, shkruan Gazeta Express.

Në këtë raport të publikuar për Ballkanin Perëndimor thuhet se ekonomia e Kosovës për vitin 2020 parashihej që të kishte një rritje të fortë me 4%, mirëpo potencohet se pandemia ka ndryshuar gjithçka dhe se tashmë do të ketë rënie ekonomike deri në 4,5%.

“Ekonomia e Kosovës parashihej të rritej me rreth 4 për qind në vitin 2020; mirëpo, për shkak të shpërthimit të COVID-19, ekonomia tani pritet të pësojë një rënie prej 4,5 për qind përkrah uljes së eksporteve të shërbimeve dhe të investimeve publike e private”, thuhet në raport.

Më tej shtohet se humbjet do të jenë edhe më të mëdha nëse masat restrictive do të zgjasin deri në fund të muajit shtator të këtij viti.

“Nëse shpërthimi i pandemisë zgjat dhe masat frenuese mbeten në fuqi deri në fund të tremujorit të tretë të vitit 2020, atëherë edhe recesioni do të jetë më i gjatë, e humbja e të hyrave buxhetore më e lartë, duke i kufizuar kështu mundësitë e reagimit të mëtejshëm me anë të politikave”, thuhet ndër të tjera.

Në raprot është folur edhe për pakon e Qeverisë të destinuar për përkrahje të qytetarëve, duke thënë se adresimi i duhur i një pakoje të tillë është jetike për zbutjen e krizës në ekonomi dhe varfërinë e shoqërisë.

“Qeveria ka shpallur një pako stimuluese në vlerë prej 2.8 për qind të PBB-së për të mbështetur qytetarët, bizneset dhe profesionet e prekura. Shënjestimi i duhur kësaj pakoje [për ata që kanë më së shumti nevojë] është jetik për zbutjen e ndikimit të krizës në ekonomi varfëri e shoqëri”, shton raporti.

Derisa parashihet një rikthim në vitin 2021 sikurse në të gjithë shtetet tjera. /Express/

Asnjë koment

Comments are closed.