13-12-2024

Banorët kërkojnë monitorimin e punimeve në rrugën Dedaj-Lugishtë e Hasit (Foto)

Ndërkohë që po vazhdon gërvishtja e asfaltit në rrugën Dedaj-Lugishtë e Hasit, banorët i kanë kërkuar kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka, kontrollimin e cilësisë së punimeve, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Makineria përkatëse shihet duke punuar në disa pjesë për riparimin e rrugës, në gjatësi prej 4.7 kilometrash, që siç është thënë parashihet edhe zgjerimi i saj.

Në debatin me qytetarë të Haskukës, të mbajtur ditë më parë, Kemajl Gigollaj nga Lugishta e Hasit kërkoi të kontrollohet cilësia e punimeve në riparimin e rrugës Dedaj-Lugishtë. Ai kërkoi që rruga të ketë edhe trotuare, ngase fëmijët udhëtojnë afro 2 km për në shkollë, e që konsiderohet rrezik për ta fëmijë.

Kryetari Haskuka, ndërkaq tha se qytetarët duhet të raportojnë në “Alo Komuna” nëse kanë ndonjë çështje rreth infrastrukturës, përfshirë edhe dyshimet rreth realizimit të dobët të punimeve në projektet që janë në zbatim nëpër lagje. / GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.