Baraliu: LDK dhe VV do të ndëshkohen nga qytetari nëse nuk arrijnë marrëveshje
Shkuarja në zgjedhje të reja nuk i konvenon asnjërës prej të dy partive të cilat po synojnë arritjen e marrëveshjes për koalicion qeverisës.
LDK e LVV në rast se nuk arrijnë të merren vesh që të qeverisin bashkë, do të ndëshkohen nga qytetarët. Lidhja Demokratike e Kosovës që nga fillimi ka pasur hezitime për arritjen e marrëveshjes, deklaron në një intervistë për KosovaPress, profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër, Albin Kurti ka deklaruar dje se nëse nuk ka marrëveshje me LDK-në për krijimin e koalicionit qeverisës, do të shkojnë në zgjedhje.
Këto deklarata Baraliu i konsideron si brengosëse, derisa thekson se nuk ka arsye serioze dhe reale që të mos përfundohet marrëveshja mes këtyre dy partive.
“Brengosëse në radhë të parë mendoj që janë, sepse nuk ka asnjë arsye serioze dhe reale që të mos përfundohet marrëveshja mes këtyre dy partive fituese, sepse programet ose përafrimet programatike që kanë qenë çështje relativisht të komplikuara për këto subjekte që kanë qenë dy pole të kundërta për sa i përket ideologjive të tyre të pozicionuara, i kanë bërë në kohë dhe i kanë arritur pa asnjë tundim dhe pa asnjë problem serioz”, u shpreh ai,
Sipas tij kjo është kryesorja, dhe është standard i ri që kanë vënë këto dy subjekte politike në aspektin e këtyre marrëveshjeve të tyre dhe standardeve të reja që të kenë një qeveri efikase dhe me mirëbesim.
“Ndërkaq sa i përket përgjegjësive të përcaktuara dhe pretendimeve mendoj që nuk ia vlen as një minutë që të humbet kohë nga këto parti politike, në veçanti nga LDK, që të mos gjejnë ndonjë zgjidhje dhe që ta përfshijnë ose të mos e përfshijnë fare postin e presidentit, por që të ndajnë përgjegjësitë sa i përket ministrive”, thotë Baraliu.
Në rast se nuk ka përafrime për arritjen e marrëveshjes, Baraliu thotë se gjasat që vendi të shkojë në zgjedhje të reja janë të mëdha. Megjithatë për këtë, sipas tij, LDK e LVV do të ndëshkohen nga vota e qytetarit.
“Si duket dikush nuk përton që të ketë zgjedhje sepse mbase mendon që mund të fitojë por unë mendoj që zgjedhjet e reja askush nuk do të fitojë ose nuk do të fitojë shumë, përkundër pritshmërive të cilitdo subjekt politik, për arsye të shumta. Por mbi të gjitha sepse qytetari mund të jetë i zhgënjyer nga të dy këto subjekte politike dhe mund t’i ndëshkojë pastaj këta siç i ndëshkoi disa të tjerë dhe e dyta është edhe iracionaliteti politik por edhe material e financiar sepse këto zgjedhje kanë kosto. Ne kemi shumë për të bërë dhe jemi në vakuum institucional dhe këtë duhet të kenë parasysh këto subjekte politike”, shton ai.
Sipas Baraliut, asnjëra nga këto dy parti nuk ka të drejtë as morale e as politike që të zvarrisin bisedimet dhe pa pasur rezultate.
Baraliu thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës që nga fillimi ka pasur hezitime për arritjen e kësaj marrëveshje për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Që nga fillimi ka pasur hezitime dhe ka pasur zvarritje. Dhe ka vepruar duke vënë qoftë edhe padukshmërisht kushte, jo nuk do të bëjmë ne marrëveshje pa u certifikuar rezultatet, ajo është ditur qartë, që nga dita e zgjedhjeve, tri orë pas zgjedhjeve që fitues është LVV. Dhe pastaj me të tilla dyshime sikur edhe LVV që ta bluajë dikë tjetër, nuk qëndron ashtu. LDK është parti serioze, institucionale me traditë 30 vjeçare. Unë mendoj që askush nuk duhet të tentojë ta bluajë dikë, e as që të tentojë ta bluajë, e aq më pak dikush që po pretendon për herë të parë ta marrë qeverisjen”, deklaron Baraliu.
Derisa thotë se mund të ketë zgjedhje të reja, Baraliu thekson se kjo mund të ketë pasoja të mëdha për vendin.
“Nëse afati 30 ditorë kalon për mos konstituimin e Kuvendit dhe afati tjetër edhe nëse bëhet konstituimi i Kuvendit, por nuk bëhet Qeveria brenda 60 ditëve, atëherë presidenti i vendit ka arsye dhe ka obligim që t’i shpall zgjedhjet e reja dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme të reja, të cilat nuk mund të bëhen para së paku 45 ditë dhe që do të thotë futemi në dimër, futemi në një humbëtirë, në një hulli politike, të cilat nuk i dihen labirintet por pasoja mund të ketë”, shprehet Baraliu.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, po bëhen gati 2 muaj pas përfundimit të zgjedhjeve, të cilët janë duke biseduar për harmonizimin e programit qeverisës.
Kujtojmë se subjekti i Albin Kurtit në zgjedhjet e 6 tetorit ka arritur t’i marrë 29 deputetë, LDK një më pak: 28. Ndërsa, iu duhen edhe disa vota të pakicave për të ndërtuar qeverinë e re.