25-11-2024

Baraliu: Presidenti mund të konsultohet me partitë tjera për formimin e qeverisë së re

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në qoftëse Albin Kurti nga Vetëvendosje dhe Isa Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të mund të arrijnë një marrëveshje për koalicionin qeverisë, Presidenti Hashim Thaçi detyrohet që përpjekjenn për formimin e Qeverisë t’ia kalojë subjekteve tjera politike.

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka thënë se Kushtetuta e Kosovës nuk e përcakton afatin për emrin e mandatarit që do të duhej t’i dorëzohet Presidentit të Kosovës.

Duke iu referuar Kushtetutës së Kosovës, Baraliu ka thënë se Presidenti nuk ka të drejtë që të caktojë një afat për të kërkuar që t’i dorëzohet emri i mandatarit për formimin e Qeverisë.

Ai ka thënë se tani jemi në fazën përfundimtare kur dy liderët, Albin Kurti dhe Isa Mustafa, nuk duhet të jenë irracional për afatin kohor, por që sipas tij duhet të tregojnë nëse kanë arritur apo jo marrëveshjen.

“Kushtetuta e Kosovës sa i përket mandatimit të mandatarit potencial, në nenin 95 paragrafi 1 thotë qartë që presidenti i vendit pas përfundimit të zgjedhjeve dhe shpalljes së rezultateve finale të tyre, duhet të zhvillojë biseda konsultuese me fituesin dhe me atë që ka shumicën në Kuvend, për të mandatur mandatarin përkatës. Pra kompetenca e Presidentit të vendit, sipas Kushtetutës është kjo që ekskluzivisht që kurdo që ofrohet propozimi nga mandatari potencial, ta dërgoj drejt në Parlament, parlamenti tanimë i konsistuar ta votojë kabinetin qeveritar”, ka thënë Baraliu për “FrontOnline”.

Nëse Albin Kurti nuk arrin të ketë një marrëveshje, në këtë rast me LDK-në, Baraliu thotë se presidentit Thaçi i jepet mundësia që të konsultohet me partitë tjera politike për ta formuar Qeverinë.

Nëse edhe përpjekja e partive tjera dështon, sipas Baraliut, Presidenti do të duhej t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Kushtetuta thotë që Presidentit i jepet mundësia që të konsultohet me partitë politike dhe të ja japë mandatin një personi tjetër që ai brenda 10 ditësh ta formojë Qeverinë, nëse edhe ai nuk mundet të formojë qeverinë, Kushtetuta e Kosovës është e saktë dhe e definuar në këtë rast, që thotë se Presidenti është i detyruar t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme në një afat prej 40 ditësh”, ka potencuar Baraliu.

Asnjë koment

Comments are closed.