23-11-2024

Bashkimi apo Ponte – duel për primatin e Prizrenit

Prizreni është qyteti i vetëm që përfaqësohet me dy skuadra në Superligën e Kosovës në basketboll. Bashkimi është klubi prizrenas me traditë të gjatë dhe kampion aktual i Kosovës.

Ponte Prizreni për herë të parë garon në Superligë, ndërsa është klub fare i ri, i themeluar në vitin 2015, shkruan sot Koha Ditore.

Por tabela e Superligës bazohet në rezultatet e këtij edicioni e jo në suksesin e edicionit të kaluar apo në traditën. Dhe në këtë fillim të edicionit, Ponte Prizreni është treguar skuadër dukshëm më e suksesshme se Bashkimi. Ponte Prizreni ka fituar dy takimet e para, ndërsa Bashkimi ka humbur dy takimet e para. Për këtë arsye vlerësohet se përballja mes dy skuadrave do të dëshmojë se kush e mban për momentin primatin në qytet. Derbi i parë i ri prizrenas do të luhet të dielën nga ora 17:00 në palestrën “Sezai Surroi”, në kuadër të xhiros së tretë të Superligës.

Ponte Prizreni në xhiron e parë fitoi në udhëtim ndaj Lipjanit e më pas mposhti në shtëpi Borean. Prizreni ka angazhuar lojtarë të huaj, ndërsa është përforcuar edhe me vendorë, ndër të tjerë edhe me ish-lojtarë të Bashkimit. Kampioni në fuqi, Bashkimi, në xhiron e parë pësoi nga Golden Eagle Ylli e në të dytin nga Rahoveci.

Asnjë koment

Comments are closed.