Bashkimi, sonte në Prizren e nisi me fitore serinë finale të plejofit në Ligën e Femrave në basketboll, duke mundur me Prishtinën, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Ndeshja përfundoi me rezultat 66:64, ndërsa meqë zhvillohen tri seri atëherë i bie 1:0 për Bashkimin.
Sekondat e fundit kaluan në ethe, por vashat prizrenas ishin më të kujdesshme dhe kaluan në epërsi.
Triumfit i janë gëzuar klubi dhe shikuesit prizrenas.
“Fitoreeeeee! 1:0 në serinë finale. Faleminderit për përkrahjen e madhe. Kjo fitore është për “Arpagjikt” dhe Prizrenin. Vazhdojmë!”, shkruhet pas ndeshjes në kumtesën e klubit.
Ekipi prizrenas është kampion në fuqi, ndërsa këtë edicion Prishtina ka fituar Superkupën dhe Kupën e Kosovës. Ky është viti i dytë rresht që Bashkimi është në finale, andaj synim është mbrojta e titullit.
Bashkimit i duhen tri fitore në këtë seri. Ndeshja e dytë zhvillohet në Prishtinë. /GazetaePrizrenit.net/