Bastisen dy shtëpi në Prizren, kapet kokainë e marihuanë

Policia e Kosovës ka kryer bastisje në shtëpitë e dy personave në Prizren, të cilët dyshohen për shitblerje dhe shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve, raporton Gazeta Sinjali.  Siç mëson Sinjali, kontrolli i shtëpive dhe objekteve përcjellëse është kryer në orët e mbrëmjes, me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prizren.

Njësitë policore që kanë zbarkuar në dy lokacione, nuk kanë gjetur të dyshuarit në shtëpi, megjithëse kanë konfiskuar drogë e pajisje për përpunimin e narkotikëve.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se në shtëpinë e të dyshuarit V.K., janë gjetur një sasi e kokainës, marihuanës, disa grindera, disa thika dhe një shufër. Ndërkohë që në shtëpinë e të dyshuarit tjetër N.G., nuk është gjetur asgjë.

Të dyshuarit që nuk u gjetën në shtëpitë e tyre janë ftuar nga Policia që të paraqiten në stacion policor, për t’u përballur me veprën me të cilën ngarkohen.