“Berlinalja” hap rrugë të reja për “Në mes”
Pos që ka bërë një hap të madh duke e çuar Kosovën për herë të parë në konkurrencë zyrtare në “Berlinale”, filmit dokumentar “Në mes” i janë hapur edhe rrugë të tjera. Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Berlin, që është mbajtur prej 7 deri më 17 shkurt, ka shërbyer edhe si “vizë” e rëndësishme për filmin dokumentar nën regji të Samir Karahodës.
Tashmë ka marrë konfirmime për pjesëmarrje në 11 festivale të ndryshme. “Berlinalja”, ku “Në mes” ishte pjesë e garës në programin “Berlinale Shorts”, mbetet një hap i rëndësishëm për ekipin e filmit, shkruan sot “Koha Ditore”. Është shfaqur shtatë herë në salla me rreth 500 veta. Është vlerësuar sidomos për mënyrën e realizimit.
Regjisori Samir Karahoda tashmë është kthyer nga Berlini. Ani pse rrugëtimi në festivalin prestigjioz nuk është kurorëzuar me trofe, ai e ka përsëritur se pjesëmarrja është fitore. Fakti që kemi qenë për herë të parë si Kosovë është përmendur shumë. Shumica e kanë parë filmin. Një nga organizatorët e ka parë filmin disa herë, ka thënë ai.
“Në mes”, me producent Eroll Bilibanin, në 15 minuta trajton dy tema paralelisht: fenomenin e ndërtimit të shtëpive të njëjta nga vëllezërit dhe migrimin, gjë që veçmas theksohet nëpër këto familje.
Premiera vendore e këtij dokumentari pritet të jepet në edicionin e 19-të të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest“ në Prizren.
Filmi i Karahodës ishte një nga 24 filmat nga 17 shtete të botës, që konkurroi për çmimet e edicionit të vitit 2019 në “Berlinale Shorts” të “Berlinales”.