23-11-2024

Besimtarët rahovecas të tarikatit Rifai vizitojnë Fushën e Qerbelasë në Irak

Dhjetëra besimtarë rahovecianë të tarikatit Rifai, të Teqesë së Haxhi Shejh Iljazit, të udhëhequr nga Haxhi Shejh Mejdi Shehu, ju bashkuan një udhëtimi të organizuar publik, për të vizituar Fushën e Qerbelasë në Irak.

Fusha e Qerbelasë është një nga vendet më të shenjëta të besimtarëve islam pasi që në këtë vend, besohet se rreth 1300 vjetë më parë, nipi i pejgamberit Muhamet, Imam Hysejni, u sakrifikua në mbrojtje të vlerave universale të besimit dhe drejtësisë, në një luftë shumë të pabarabartë.

Në këtë fushë, karvani i familjarëve dhe besimtarëve të Imam Hysejnit me disa dhjetëra burra dhe shumë familjarë të moshave dhe gjinive të ndryshme, ishte ngujuar në mes të shkretëtirës përvëluese nga dhjetëra mijëra ushtarë kundërshtarë, duke i privuar furnizimet me uj dhe ushqime, për dhjetë ditë rresht.

Në ditën e dhjetë ishin zhvilluar luftime ku, një nga një, ranë 72 dëshmorë të Ehlibejtit, në mesin e të cilëve edhe vetë nipi i pejgamberit Imam Hysejni.

Kjo ngjarje ka ndodhur në dhjetëditëshin e parë të muajin Muharrem, sipas kalendarit islam.

Për nderë të kësaj lufte, besimtarët e tarikateve agjërojnë dhjetë ditë në vit, duke u kufizuar në ushqime, në pije e gëzime, në kujtim të dëshmorëve të Qerbelasë.

Këtë vit, agjërimi i muajit Muharrem do të bëhet në dhjetëditëshin e parë të muajit shtator. /AnadriniPress/

Asnjë koment

Comments are closed.