Ja si është çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar
Çmimet e naftës ranë në 99 dollarë pasi tregtarët kanë frikë se inflacioni i lartë do ta shtyjë bankën qendrore të SHBA të rrisë ndjeshëm normat e interesit, gjë që mund të zbehë ekonominë dhe kërkesën për energji.
Në tregun e Londrës, çmimi i një fuçie pas mesditës ishte me 33 cent më i ulët se në momentin e mbylljes së djeshme dhe arriti në 99.16 dollarë. Dje e mbylli tregtinë në minus 7.61 dollarë.
Në tregun amerikan një fuçi u tregtua sot me një çmim thuajse të pandryshuar prej 95,72 dollarë. Dje, ajo mbylli tregtinë me një humbje prej 8.25 dollarësh. Çmimet u mbyllën dje në Londër nën nivelin 100 dollarë, për herë të parë në tre muaj, për shkak të dollarit të fortë, masave të rrepta për të luftuar COVID-19 në importuesin kryesor në botë, Kinën dhe frikës për një ngadalësim të ekonomisë globale.
Pavarësisht ofertës së ngushtë të tregut fizik, investitorët shisnin naftë në kontrata të së ardhmes, nga frika se një rritje agresive e normave të interesit mund të ngadalësonte rritjen ekonomike dhe rrjedhimisht kërkesën për naftë.