24-04-2024

Bie numri i pacientëve me Covid-19 në klinikat e QKUK’së

Drejtoresha e Klinikës së Pulmologjisë, Rukie Mehmeti, ka thënë se numri i rasteve të rënda me Covid-19, të shtrira në këtë klinikë, ka rënë në krahasim me një muaj më parë.

“Para një muaji kishim rreth 100 të shtrirë dhe shumë prej tyre në gjendje të rëndë. Tash kemi 77 të sëmurë në klinikën tonë por që 68 prej tyre janë në oksigjen”, tha ajo në Rtv Dukagjini.

Lexo edhe:

Vetëm fjalimet në Kuvendin e Prizrenit nuk e përmirësojnë gjendjen e rënduar në arsim

Drejtoresha e Klinikës së Pulmologjisë thotë se edhe në Klinikën Infektive ka rënë numri i pacientëve me COVID-19 prandaj sipas saj po bëjnë përpjekje që në këtë klinikë të trajtohen edhe pacientët tjerë që nuk janë pozitiv në COVID-19.

Mehmeti thotë se ka raste kur në një dhomë në Klinikën e Pulmologjisë vendosen pacientë që janë të prekur me COVID-19 dhe pa të.

 

“Nuk kemi zgjidhje tjetër. Ne duam ta shpëtojmë pacientin dhe nuk pyesim se ku do ta vendosim. Është në pyetje jeta apo vdekja. Ne duam t’iu japim një shansë edhe pacientëve tjerë që nuk kanë COVID-19 e që janë në gjendje të rëndë dhe duan trajtim”.

 

Drejtoresha e Klinikës së Pulmologjisë thotë se nuk kanë menduar që Klinika e Infektologjisë do të mbingarkohet dhe do të detyrohen që pacientët me coronavirus t’i shpërndajnë edhe në klinikat tjera.

Rukie Mehmeti e cila edhe vet ka qenë e prekur me coronavirus thotë se tashmë i ëshët kthyer punës së kujdestarisë duke u kujdesur për pacientët me COVID-19.

“Do t’iu shërbej pacientëve deri sa të kalojë situata apo të pensionohem. Ky është misioni ynë”, deklaroi ndër të tjera drejtoresha e Klinikës së Pulmologjisë, Rukie Mehmeti.

Asnjë koment

Comments are closed.