Bie për 100 numri i të burgosurve, të arrestuarit s’janë testuar për koronavirus
Rreth 1400 zyrtarë korrektues do të përfitojnë nga Pako Emergjente Fiskale. Këtë e ka bëtë të ditur Rasim Selmani, zëvendësdrejtor në Shërbimin Korrektues, theksoi se është mirë që në këtë pako janë të përfshirë një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve korrektues.
“Në fakt është përfshi Shërbimi Korrektues në këtë pakon emergjente. Janë zyrtarët korrektues të cilët janë përfshi e që numri i tyre është rreth 1400 e që është përfshi në këtë pakon e qeverisë tash me vendimin e fundit të Qeverisë. Rreth 1400 zyrtarë korrektues do të përfitojnë prej kësaj pakoje”, tregoi Selmani.
Qeveria në detyrë e Kosovë, ditë më parë për shkak të përhapjes së Coronavirusit, kishte marrë vendim t’iu dalë në ndihmë me mjete financiare institucioneve, bizneseve e qytetarëve të kategorive të ndryshme.
Pandemia e Coronavirusit, ka ndikuar që të bije edhe numri i të burgosurve e të ketë ndërprerje të paraburgimit.
Sipas Selmanit, numri ka rënë për 100 të burgosur më pak, prej fillimit të shfaqjes së kësaj pandemie në Kosovë.
“Numri ka rënë diku për 100 të burgosur ne kemi më pak prej fillimit të kësaj pandemie. Ka pasur ndërprerje të paraburgimit ka pasur lirime të të burgosurve edhe numri i të ardhurve është i vogël në krahasim me ato që janë liruar, kështu që është një numër prej 100 të burgosurve më pak në institucionet korrektuese”, theksoi ai.
Slemani tregoi se vetëm për një ditë numri total i të burgosurve arrin në 1 661 në të gjitha institucionet korrektuese.
“Vetëm të paraburgosur kemi rreth 434. Po numri total i të burgosurve është 1 661 të burgosur në të gjitha institucionet korrektuese”, u shpreh Selmani për EO.
Selmani tutje tha se personat që janë burgosur në kohë pandemie, nuk janë testuar përderisa nuk kanë pasur simptome.
“Përderisa, nuk kemi indikacione, nuk është e nevojshme të testohen së paku kështu janë rekomandimet prej sistemit shëndetësor. Derisa, nuk ka simptome, nuk ka ndonjë indikacion, kjo gjendje do të vazhdojë kështu”.
Shërbimi Korrektues i Kosovës për shkak të parandalimit të përhapjes së Coronavirusit me vendim të Qeverisë së Kosovës kishte njoftuar se të gjitha vizitat familjare nëpër të gjitha institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit do të ndërpriten.
Mirëpo, ShKK-ja ua ka mundësuar të burgosurve telefonata më të shpeshta ma familjarë me komunikim virtual përmes SKYPE.
Në lidhje me këtë, Selmani thotë se ky lloj komunikimi është duke vazhduar dhe është lehtësim edhe për të burgosurit, pasi mund të flasin dhe t’i shohin familjarët e tyre.
“Komunikimi është duke vazhduar edhe është jashtëzakonisht mirë, është një lehtësim i madh për të burgosurit të cilët kanë mundësi edhe të flasin me familjarët edhe t’i shohin edhe të kenë d.m.th një mundësi derisa ekziston kjo gjendje”.