25-04-2024

Bien investimet kapitale në Prizren

KALLXO.com i ka analizuar raportet e shpenzimeve për periudhën janar-prill 2018, duke i krahasuar me shpenzimet e vitit të kaluar për të njëjtën periudhë.

Në raportin zyrtar të shpenzimeve të publikuara në ueb-faqen e Komunës së Prizrenit vlera e përgjithshme e shpenzimeve komunale gjatë periudhës janar – prill 2018 ishte 11 milionë e 603 mijë e 412 euro nga 45,1 milionë euro sa është buxheti i planifikuar i Komunës për vitin 2018.

Në të njëjtën periudhë të vitit 2017, Komuna e Prizrenit ka shpenzuar 12,3 milionë euro nga 40.1 milionë euro sa ka qenë buxheti i Komunës për vitin 2017.

Bazuar në analizën e bërë nga KALLXO.com del që gjatë këtij vitit janë rritur shpenzimet për udhëtime brenda dhe jashtë Kosovës. Komuna e Prizrenit gjatë periudhës janar – prill 2018 ka shpenzuar 149 mijë e 921 euro për udhëtime brenda vendit, ndërsa shpenzimet për udhëtime jashtë vendit ishin 7 mijë e 117 euro, kurse për mëditje ka dhënë 1 mijë e 880 euro.

Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janar – prill 2017, komuna ka shpenzuar 20 mijë e 126 euro për udhëtime brenda vendit, ndërsa për ato jashtë vendit janë shpenzuar vetëm 300 euro, kurse për mëditje ka 198 euro.

Komuna e Prizrenit me të gjitha drejtoritë, gjatë këtij viti, në pritjet e mysafirëve për dreka zyrtare ka shpenzuar 8 mijë e 63 euro, ndërsa për ushqim dhe pije që nuk kanë qenë dreka zyrtare ka shpenzuar 9 mijë e 201.43 euro.

Në periudhën e njëjtë e vitit të kaluar, pra janar – prill 2017, Komuna e Prizrenit ka shpenzuar në dreka zyrtare 165 euro, për ushqim dhe pije që nuk kanë qenë dreka zyrtare ka shpenzuar 7 mijë e 865 euro.

Nën udhëheqjen e Mytaher Haskukës, Komuna e Prizrenit për “shërbimet e tjera kontraktuese” siç thuhet në raport ka shpenzuar 761 mijë e 454 euro ose 13.2 për qind të buxhetit.

Kurse nën udhëheqjen e Ramadan Mujës, vitin e kaluar për “shërbime të tjera kontraktuese ka shpenzuar 60 mijë e 89 euro.

Në vitin e parë të mandatit, Haskuka i ka shpenzuar 16 mijë e 865 euro për mobilie, kurse vitin e kaluar ishin shpenzuar vetëm 3 mijë e 780 euro.

Për telefoni mobile këtë vit gjatë periudhës janar – prill 2018 ka shpenzuar 10 mijë e 749.05 euro, kurse vitin e kaluar ishin shpenzuar 15 mijë e 090.37 euro.

Vitin e kaluar kishte më shumë shpenzime për karburante. 16 mijë e 703 janë shpenzuar për karburante në katër muajt e parë të vitit 2018, ndërsa vitin e kaluar ishin shpenzuar 31 mijë e 450 euro.

Komuna e Prizrenit këtë vit ka ulur shpenzimet e rrymës nga 231 mijë e 116 euro sa ka qenë vitin e kaluar, këtë vit shpenzimet e rrymës janë 195 mijë e 396 euro.

Këtë vit, Komuna e Prizrenit për sigurim të automjeteve ka shpenzuar 11 mijë e 213 euro kurse vitin e kaluar janë shpenzuar 676 euro.

Komuna e Prizrenit për objekte arsimore, sportive, memoriale dhe kulturore ka shpenzuar 239 mijë e 523 euro, kurse këtë vit ka shpenzuar 298 mijë e 323 euro. E për objekte memoriale dhe kulturore, Komuna e Prizrenit nuk ka shpenzuar asnjë cent.

Asnjë koment

Comments are closed.