Bien shifrat e rasteve pozitive me COVID-19, numri të vdekurve shkon në 112
119 të prekur me COVID-19 janë shënuar në Kosovë. Këto raste kanë dalë nga 420 mostra të kryera të martën.
Rastet e fundit pozitive janë nga komunat: Prishtinë – 63, Gjakovë – 12, Drenas – 6, Fushë-Kosovë – 5, Pejë – 5, Podujevë – 5, Skenderaj – 3, Ferizaj -2, Deçan – 2, Gjilan – 2, Istog – 2, Kaçanik – 2, Lipjan – 2, Vushtrri – 2, Obiliq – 2 dhe nga një në Kamenicë, Kllokot, Mitrovicë dhe Rahovec.
Kjo është dita e dytë që ka rënie të numrit të rasteve me COVID-19. Në periudhën 8 – 12 korrik ishin shënuar 200 e më shumë raste në ditë.
2.663 raste janë ende aktive, kurse 92 pacientë janë shëruar në 24 orët e fundit. Gjithsej janë shëruar 2.462 pacientë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, sot kanë mbajtur konferencë të përbashkët, ku kanë zbuluar numrin e të infekturave, të vdekurve si pasojë e koronavirusit dhe të shëruarve.
Tash e tutje, zbulimi i rasteve do të bëhet çdo ditë në orën 15:00 përmes konferencave të rregullta. Rezultatet e ditës së sotme do të zbulohen të enjten.
“Kemi vendosur që të ndryshojmë kohën e transmetimit të rezultateve. Në orën 15:00 çdo ditë do të transmetohen. Kjo, qytetarët i kursen nga pritja e kurreshtja dhe u jep mundësi profesionistëve të punojnë pa presion. Në baza ditore do të tregohen edhe të dhënat e pacientëve që janë të shtrirë në QKUK e në spitale”, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.