23-11-2024

Blerim Latifi: Rikthimi i SHBA-së në Ballkan është një hap historik, sidomos për shqiptarët

Profesori i filozofisë, Blerim Latifi, ka komentuar edhe një herë marrëveshjen e arritur në Uashington më 4 shtator në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Thotë se është shumë pozitiv për shqiptarët fakti që SHBA ka rikthyer vëmendjen në rajon.

“Rikthimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në regjionin e Ballkanit Perëndimor është një hap pozitiv edhe historik sidomos në pikëpamjet e interesave të popullit shqiptar sepse edhe një herë SHBA’të po tregojnë qëllimin e tyre, vullnetin e tyre që këtë pjesë ta mbajnë nën orbitën dhe hemisferën e politikës perëndimore dhe amerikane”, tha Latifi në emisionin “Pressing” në T7.

“Këto detajet e tjera pastaj, jo hekurudha, jo rruga, kah do t’i bie rruga, për mendimin tim janë elemente sekondare në projektin e madh i cili është projekt gjeopolitik i cili është projekt që ka të bëjë me sigurinë regjionale’, shtoi ai.

Latifi ka komentuar edhe kritikat për pikën e marrëveshjes ku përfshihet Ujmani.

“Puna e Ujmanit po trajtohet në mënyrë naive ndonjëherë edhe në mënyrë shumë të ngushtë. Puna e Ujmanit është një element i një projekti shumë më të gjerë efektet e të cilës ne do t’i shohim shumë më vonë e të cilat kanë të bëjnë në radhë të parë me sigurinë gjeopolitike në regjionin e Ballkanit. Nuk është thjesht aty, kush sa do të marrë ujë, kush sa do të kontrollojë ujin…por është një pikë nevralgjike në të cilën SHBA’të kanë vendosur ta kenë prezencën e tyre, prezencë e cila në vitet e ardhshme do të marrë edhe dimensione të tjera shumë më të rëndësishme, shumë më të strategjike e që në radhë të parë kanë të bëjnë me sigurinë’, shpjegoi Latifi.

Asnjë koment

Comments are closed.