15-11-2026

Boksieri prizrenas Armend Xhoxhajn mundet nga Roman Fress me vendim unanim, por kampi i Xhoxhajt konteston rezultatin

Boksieri gjerman Roman Fress ka mposhtur me vendim të gjyqtarëve boksierin shqiptar Armend Xhoxhaj, në duelin e tretë mes tyre, të zhvilluar të shtunën mbrëma në Magdeburg të Gjermanisë.

Përballja, e vlefshme për titujt WBO European dhe WBO Intercontinental në kategorinë Cruiserweight, u zhvillua në 12 raunde dhe përfundoi me fitoren e Fressit me vendim unanim të gjyqtarëve.

Dy prej gjyqtarëve e vlerësuan me rezultat 115:113, ndërsa i treti 116:112, të gjithë në favor të boksierit gjerman.

Dueli ishte i treti mes dy boksierëve. Në përballjen e parë, të zhvilluar në maj të vitit 2022, Xhoxhaj kishte triumfuar, ndërsa rimeçi kishte përfunduar me barazim.

Vendimi i gjyqtarëve në këtë përballje ka shkaktuar reagime të shumta nga kampi i Xhoxhajt, i cili e ka kontestuar rezultatin, duke pretenduar se shqiptari kishte fituar më shumë raunde.

Xhoxhaj ka ngritur gjithashtu pretendime për parregullsi gjatë raundit të 11-të, lidhur me trajtimin e një plage në fytyrën e Fressit nga mjeku i ndeshjes. Sipas tij, ekipi i tij kishte paraqitur protestë, por ajo nuk ishte marrë parasysh.

Në anën tjetër, Fress dhe trajneri i tij kanë mbrojtur vendimin, duke deklaruar se fitorja ishte e merituar.

Me këtë triumf, Fress forcon pozitën e tij në renditjen e WBO-së, ku para përballjes ishte i pari në kategorinë përkatëse, ndërsa Xhoxhaj renditej në vendin e dhjetë.

Përballja në Magdeburg ishte një nga duelet më të rëndësishme në karrierën e dy boksierëve, pasi fituesit i hapte mundësi më të mira për të synuar një sfidë për titullin botëror të WBO-së.

 

Asnjë koment

Comments are closed.