26-11-2024

Bora dhe erërat e forta shkaktuan telashe të mëdha në komunën e Dragashit

Në komunën e Dragashit pas të reshurave atmosferike dhe erërave të forta, paraqitet gjendje e rëndë nëpër rrugë, ndërsa probleme ka edhe me rrjetin elektrik, ku si pasojë shumë vendbanime po përballen me mungesë të energjisë elektrike.

Banorët e komunës së Dragashit, thonë se pas të reshurave të borës dhe erërave të forta, ata po përballen me telashe të mëdha. Qarkullimi i automjeteve nëpër rrugët e kësaj komune është në gjendje të rënduar si pasojë e mosmirëmbajtjes së rrugëve nga kompanitë e kontraktuara nga komuna, si dhe mungesa e furnizimit të rregulltë me energji elektrike, thonë Sadam Sallahi, Faton Flugaj dhe Muhamed Kalanderi.

Se gjendja është e rëndë, e konfirmon edhe kryetari i komunës, Shaban Shabani, i cili thotë se përkundër angazhimeve të vazhdueshme, ende kemi rrugë në të cilat po punohet për largimin e borës, dhe telashe po paraqet fakti se pas ndërprerjes së të reshurave, erërat po janë ato të cilat po i mbulojnë rrugët me borë.

Kryetari Shabani, thotë se si pasojë e kësaj situate, jemi detyruar që të marrim vendim me drejtorinë e Arsimit që gjatë ditës së sotme mos të zhvillohet mësimi në të gjitha shkollat e komunës. Ai thotë se angazhimet për menaxhimin sa më të mirë të situatës nuk do të ndalen për asnjë moment, ndërsa falënderon kompanitë private të cilat gjithashtu po angazhohen në largimin e borës si dhe banorët e lokaliteteve të ndryshme, të cilët me vetiniciativë janë duke bërë pastrimin e rrugëve.

Gjendja më e rëndë paraqitet në rrugët e zonës së Gorës për Brod, Radeshë, Lybevisht dhe Restelicë, ndërsa si pasojë e kësaj gjendje shumë lokalitete të kësaj komune për shkak të dëmtimit të rrjetit elektrik nuk po furnizohen me energji elektrike./tvpz

Asnjë koment

Comments are closed.