23-11-2024

Brenda dy javësh Ministria e Kulturës zhvendoset në Prizren

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka bërë të ditur se një pjesë e stafit të ministrisë brenda dy javëve pritet të zhvendoset në objektin e ri të ministrisë në qytetin e Prizrenit.

Ai ka thënë se kjo zhvendosje do të bëhet për të qenë sa më afër qytetit më kulturor të Kosovës, Prizrenit.

“Tashmë jemi në fazën finale të pajisjes së zyrës së Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit me orenditë e duhura besoj se brenda disa ditësh do të kemi objektin e gatshëm, tashmë gjitha pajisjet, infrastruktura ka përfunduar në zyrat e MKRS-së në qytetin e Prizrenit dhe besoj që për disa ditë ndoshta dy javë do ta kemi të gatshëm objektin që natyrisht do ta përurojmë”, ka thënë Gashi për Ekonomia Online.
“Një pjesë e ministrisë së Kulturës, përkatësisht kabineti i ministrit dhe një pjesë e departamentit të trashëgimisë kulturore dhe departamentit të kulturës do të jenë pjesë e këtij objekti në qytetin e Prizrenit në mënyrë që të jenë më afër aktiviteteve kulturore dhe gjithsesi pjesës së trashëgimisë kulturore në qytetin e Prizrenit”.

Ministri Gashi ka thënë se faji i vonesës së kësaj zhvendosjeje është Komuna e Prizrenit, e cila nuk kishte arritur t’ia dorëzojë me kohë objektin ministrisë.Sipas tij, objekti është pajisur dhe tani edhe stafi i ministrisë është i gatshëm për zhvendosjen e tyre.

“Besoj që e kemi bërë një punë jashtëzakonisht të madhe, kemi pas ndoshta pak vonesa për faktin se komuna jo me kohë na ka dorëzuar objektin dhe zyrat, por besoj se tashmë gjithçka ka përfunduar dhe është e gatshme që ne një pjesë do të zhvendosemi në qytetin e Prizrenit”.

Ministri Gashi ka thënë se kabineti i ministrisë do të ndahet ku njëra do të operojë në Prishtinë, ndërsa tjetra në Prizren, kjo zhvendosje po bëhet në mënyrë që të mbulohet i tërë territori i Kosovës me shërbime të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Brenda 2 javë, një pjesë e ministrisë do të bartet në qytetin e Prizrenit, ndërsa pjesa tjetër do të operoj ashtu siç është edhe sot në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, në objektin aktual ku edhe sot operojmë”.

“Do të kemi një ndarje të kabinetit ku një pjesë do të operoj në Prizren dhe një pjesë në Prishtinë në mënyrë që ta mbulojmë gjithë territorin e Kosovës edhe me shërbime, por edhe aktivitetet e nevojshme”.

Gashi ka folur edhe për bibliotekat e Kosovës dhe furnizimin e tyre me tituj të rinj.  Ai ka thënë se zhvillimi i teknologjisë ka bërë që librat të jenë më pak në përdorim se sa në të kaluarën nga lexuesit.

Por, megjithatë ai tha se Ministria është e gatshme të rris fondet në mënyrë që të mos mbyllet asnjë bibliotekë në Kosovë dhe të ketë sa më shumë libra dhe tituj në raftet e bibliotekave.

“Ndoshta kjo është për shkak të zhvillimit të teknologjisë, megjithatë ne e inkurajojmë edhe Bibliotekën Kombëtare të Kosovës që të ofroj projekte dhe kërkesën në Ministrinë e Kulturës, ne do të jemi të gatshëm të rrisim edhe fondet në mënyrë që asnjë bibliotekë të mos mbyllet në Kosovë dhe të mos të ketë më pak tituj, por përkundrazi të kemi sa më shumë tituj në mënyrë që lexueseve, studentëve e gjithë atyre që kanë nevojë për libra të i ofrojmë mundësi”.

“Si ministri jemi të interesuar që të mos të kemi mbyllje të asnjë biblioteke, përkundrazi të kemi hapje të bibliotekave dhe furnizim të gjitha bibliotekave qofshin ato ndërkomunale, por në të njëjtën kohë edhe biblioteka që janë nëpër shkolla sepse ministria e kulturës tashmë ka rritur edhe buxhetin për librin”.

“Jemi të gatshëm të i financojmë edhe Bibliotekën Kombëtare dhe bibliotekat ndërkomunale të cilat janë kompetencë e komunave, por duke pa rëndësinë e bibliotekës dhe librit si ministri jemi jashtëzakonisht të interesuar dhe të gatshëm që të mbështesim  financime të reja”, ka thënë ai.

 

Asnjë koment

Comments are closed.