10-05-2024

Bundesveri i dhuron Kosovës 2 mil. euro pajisje e teknologji

Rreth 2 milionë euro pajisje dhe teknologji të Bundesver-it, sot i janë dhuruar Kosovës. Kështu ka njoftuar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili po qëndron në Prizren, për një vizitë  në kampin ushtarak të KFOR-it gjerman shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Haradinaj së bashku me një pjesë të Kabinetit të tij Qeveritar, sot nga ora 10:00 është pritur nga komandanti i kontingjentit gjerman, nënkolonel Dr. Eric Offermann.

Pas kësaj, kryeministri ka njoftuar përmes llogarisë së tij në “facebook”, për ndihmën e dhuruar nga Bundesveri, të cilën ai e ka vlerësuar  si dëshmi të kujdesit të vazhdueshëm të Gjermanisë për popullin tonë.

“Këtë paradite, së bashku me një pjesë të kabinetit qeveritar, në Kampin ushtarak në Prizren e filluam vizitën e punës me nderime te memoriali i ngritur për ushtarët gjermanë që kanë shërbyer në Kosovë për paqe. Parku Inovativ – Trajnues, i cili po shndërrohet në një adresë të fuqishme të shtetit gjerman në vendin tonë, ka arritur në fazën finale.

Krijimi i këtij Parku, ku do të qëndrojë përherë i ngritur lartë flamuri gjerman, është një bazë e fortë e miqësisë Kosovë-Gjermani. Duke qenë se Gjermania është pikëmbështetja strategjike e Kosovës, si Qeveri vazhdojmë përkushtimin që të dinamizohet bashkëpunimi i gjithanshëm me Berlinin zyrtar. Populli i Kosovës, përjetësisht mirënjohës shtetit dhe popullit gjerman”, ka shkruar Haradinaj.

Në këtë kamp, që ka mbi 40 hektarë, të rinjtë dhe të rejat e Kosovës do të mund të marrin njohuri dhe të trajnohen për teknologji informative, bujqësi, ushqim dhe agro-përpunim, industri kreative, turizëm, arsim, shkencë dhe hulumtime të ndryshme. Kampi posedon 23 ndërtesa me 550 dhoma me kapacitet për banim për rreth 1. 200 persona.

Me përfundimin e misionit në fund të vitit, baza ushtarake e KFOR-it gjerman në Prizren do të shndërrohet në një Park Inovativ dhe trajnues kosovaro-gjerman.

Në kuadër të vizitës, kryeministri dhe bashkwpunwtorwt e tij ka drekuar bashkwrisht, në kuzhinën e Kampit fushor. /GazetaePrizrenit.net

Fotografia e Ramush Haradinaj

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.