Burbuqe Hana përzgjidhet në pozitën e Kryeshefit të Telekomit të Kosovës
Me datën 23 dhe 24 nëntor 2022, Komisioni Vlerësues në bashkëpunim me Partnerin zbatues për monitorim, për pozitën Kryeshef Ekzekutiv, në mesin e 18 aplikacioneve të pranuara, pas shqyrtimit dhe vlerësimit të dosjeve/aplikacioneve ka përzgjedhur në listën e ngushtë për intervistim pesë (5) kandidatë.
Me datën 05 dhe 06 dhjetor 2022, Komisioni Vlerësues në bashkëpunim me Partnerin zbatues për monitorim të procesit të përzgjedhjes ka intervistuar kandidatët e përzgjedhur në listën e ngushtë për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të TK Sh.A.
Komisioni në bazë të metodologjisë për vlerësimin e Zyrtarëve të Lartë, të përcaktuar nga Partneri zbatues për monitorim (BDO), ka bërë poentimin e të gjithë kandidatëve të intervistuar, ku znj. Burbuqe Hana është vlerësuar nga Komisioni Vlerësues me më së shumti pikë.
Bordi i Drejtorëve i TK Sh.A. konstaton që i gjithë procesi i rekrutimit për pozitën e punës Kryeshef Ekzekutiv ka qenë transparent, i rregullt dhe në bazë të Ligjit, Kodit të Etikës dhe Qeverisjes Korporative.
Komisioni Vlerësues rekomandon të rishpallet konkursi për ZKFTH
Ndërsa për pozitën Zyrtar Kryesor i Financave dhe Thesarit, kanë aplikuar gjashtë (6) kandidatë. Pas shqyrtimit dhe vlerësimit të dosjeve/aplikacioneve, Komisioni Vlerësues ka konstatuar që nuk ka numër të mjaftueshëm të kandidatëve që i plotësojnë kushtet e përcaktuara me konkurs për ZKFTH, konform legjislacionit në fuqi.
Duke u bazuar në këtë vlerësim, Komisioni Vlerësues rekomandon që të rishpallet konkursi për ZKFTH./IO