18-05-2024

“Burdushi” kërkon përjashtimin e trupit gjykues, dështon seanca në Apel

Sot. në Gjykatën e Apelit ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit të ankesave, në rastin ku i akuzuari Hysri Peqani, i njohur ndryshe si “Burdushi”, po kërkon lirimin e tij nga akuza për mashtrim.

Ai akuzohet se më 20 qershor 2014, deri më 12 gusht 2014, në Prizren, me qellim që t’i fsheh faktet dhe në mënyrë të kundërligjshme të fitojë dobi pasurore për vete apo për personin tjetër, e mashtron dhe e vë nën lajthim personin tjetër dhe me këtë e nxit të dëmtuarin Q.P, duke i thënë se do t’ia shërojë bashkëshorten, e cila vuan nga depresioni, në kompensim të shumës prej 2,000 euro.

Deri të dështimi i seancës ka ardhur si pasojë e kërkesës së të akuzuarit Peqani, për përjashtimin e trupit gjykues, raporton “ Betimi për Drejtësi”.

Peqani tha se arsyet dhe provat për përjashtimin e trupit gjykues do t’i paraqes me shkrim.

Kryetari i trupit gjykues, Afrim Shala, tha se kërkesa e të akuzuarit Peqani për përjashtimin e trupit gjykues do t’i dorëzohet kryetarit të Gjykatës së Apelit, për tu shqyrtuar.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 22 qershor 2020, në ora 9:30.

Deri të shqyrtimi i ankesave në Gjykatën e Apelit ka ardhur pas ankesave të parashtruara nga prokuroria dhe mbrojtja.

Prokuroria me ankesë ka kërkuar dënimin maksimal për të akuzuarin Peqani, ndërsa mbrojtja me ankesë ka kërkuar lirimin e të akuzuarit nga akuza.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, më 19 nëntor 2018, kishte marr aktgjykim, me të cilinën të akuzuari Peqani, e kishte shpallur fajtor për mashtrim dhe e kishte dënuar me një vit burgim dhe 5000 euro gjobë.

Ndaj tij, po ashtu gjykata kishte shqiptuar edhe dënimin plotësues, ndalim i ushtrimit të profesionit në kohëzgjatje prej tre vjetësh.

Ndërsa, pas ankesës së mbrojtjes në Gjykatën e Apelit, rasti është kthyer në rigjykim.

Kurse pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Prizren, 8 nëntor 2019, për herë të dytë e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me një vit burg dhe 5000 euro gjobë, të akuzuarin për mashtrim, Hysri Peqani.

Po ashtu, ndaj tij ishte shqiptuar edhe dënim plotësues, me të cilin i ndalohet ushtrimi i profesionit për tre vjet.

Prokuroria Themelore në Prizren, në vitin 2015, kishte ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Hysni Peqani, me arsyetimin se i njëjti, më 20 qershor 2014 deri më 12 gusht 2014, në Prizren, me qellim që t’i fsheh faktet dhe në mënyrë të kundërligjshme të fitojë dobi pasurore për vete apo për personin tjetër, e mashtron dhe e vë nën lajthim personin tjetër dhe me këtë e nxit të dëmtuarin Q.P, duke i thënë se do t’ia shërojë bashkëshorten, e cila vuan nga depresioni, në kompensim të shumës prej 2000 euro.

Me këto veprime, Peqani akuzohet se ka kryer veprën penale të mashtrimit.

Asnjë koment

Comments are closed.