Burg e gjobë të akuzuarit për posedim të paautorizuar të narkotikëve në Malishevë
Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, të mërkurën, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge, Arian Krasniqi.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtari Lulzim Paçarizi, i akuzuari Krasniqi është dënuar me 6 muaj burg efektiv dhe 200 euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Krahas kësaj, i akuzuari Krasniqi është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 30 euro, si dhe në emër të kompensimit të viktimave shumën prej 30 euro.
Aktgjykimi ndaj tij është shpallur pasi që paraprakisht në seancën e shqyrtimit fillestar, i akuzuari e ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet.
Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Nazmi Krasniqi, i cili ka deklaruar se i njëjti është i mbështetur në shkresat e lëndës.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë më 20 shtator 2019, ndaj të akuzuarit Arian Krasniqi, me pretendimin se ka kryer veprën penale “posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, nga neni 269, paragraf 1, të KPRK–së.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Krasniqi, më 16 gusht 2019, në Malishevë, në rrugën “Ibrahim Mazreku”, pa autorizim posedon substanca psikotrope ose analoge, të llojit “marihuanë”, të shpallura të rrezikshme sipas nenit 9 dhe nenit 14 të Ligjit për barnat narkotike, substanca psikotrope dhe prekusorë.
Në aktakuzë thuhet se pasi që i akuzuari është ndalur nga policia dhe është kontrolluar, i është gjetur në qese najloni me substancë në formë bari, e cila substancë është sekuestruar nga zyrtarët policor, e që më pas në bazë të raportit të ekspertimit, substanca ka rezultuar që të jetë narkotik i llojit marihuanë, me peshë 12.60 gramë. /BetimipërDrejtësi