07-05-2024

Prizren: Aprovohet kërkesa për dëgjimin e juristit nga drejtoria për kadastër në gjykimin ndaj gjeodetëve për keqpërdorim pozite

Sot, Gjykata Themelore në Prizren ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes që në cilësi të dëshmitari të dëgjohet juristi i drejtorisë për Kadastër, Basri Begaj, në gjykimin ndaj të pandehurve Bajram Selmani dhe Luljeta Rizanaj, të cilët po akuzohen se në cilësi të gjeodetëve kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Një kërkesë të tillë e ka bërë mbrojtësi i të akuzuarës Luljeta Rizanaj, avokati Gent Gjini, ku sipas tij ky dëshmitarë është i thirrur nga detyrat e funksionit të tij që të tregoj procedurat ligjore, kur një lëndë bartet tek gjeodeti punues, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai  po ashtu ka kërkuar që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohet edhe zyrtarit i Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastres, Dukagjin Berisha si dhe ish-drejtorin e kësaj drejtorie Sencar Karamuqo.

Mirëpo një kërkesë të tillë e ka kundërshtuar prokurori i rastit Mehdi Sefa dhe mbrojtësi i të dëmtuarit Gjek Gjeverlekaj, avokati Pjetër Përgjokaj.

Sipas prokurorit Sefa, mbrojtësi i të akuzuarës Rizanaj, në arsyetimin e këtyre dëshmitarëve po thekson se të njëjtit duhet të thirren si zyrtarë ligjorë të arsyetojnë bazën ligjore, se sa që duhet të dëshmojnë diçka.

Pa ashtu edhe mbrojtësi i të dëmtuarit, avokati Përgjokaj, e ka kundërshtuar dëgjimin e këtyre dëshmitarëve, pasi që sipas tij të njëjtit nuk mundë të kontribuojnë në ndriçimin e gjendjes faktike përkundër provave që gjenden në shkresat e këndës.

Pas kësaj trupi gjykues ka refuzuar dëgjimin e këtyre dëshmitarëve, si dhe dëshmitarit të propozuar nga mbrojtësi i të akuzuarit Bajram Selmani, që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet Pren Gjevelgjekaj, vëllai i të dëmtuarit.

Në seancën e së mërkurës mbrojtësi i të akuzuarit Bajram Selmani, avokati Ruzhdi Berisha, ka hequr dorë nga autorizimi për përfaqësimin e të akuzuarit.

“Pas tërheqjes së trupit gjykues për të vendosur lidhur me propozimet e kolegut Gjini, për plotësim të procedurës së provave, nga kolegu Përgjokaj, kuptova se çështjen civile për këtë rast e udhëheq Atëdhe Berisha, si gjyqtar, për këtë arsye nuk e shohë të arsyeshme që unë të vazhdoj më mbrojtjen e këtu të akuzuarit Selmani” tha avokati Berisha.

Ndërsa mbrojtësi i të dëmtuarit, avokati Përgjokaj, pas kësaj ka kërkuar nga trupi gjykues që të siguroj të gjitha shkresat e lëndës që kanë të bëjnë me copëtimin e ngastrës kadastrale që është objekt i shqyrtimit, pasi që të njëjtat që i janë bashkangjitur aktakuzës nuk janë plotësisht të lexueshme dhe të kuptueshme.

Në anën tjetër prokurori Sefa tha se të gjitha provat materiale të cilat janë propozuara në aktakuzë janë të fotokopjuara dhe janë të njëjtat shkresa që ai posedon dhe se të njëjtat i ka të siguruara përmes policisë së krimeve ekonomike.

Lidhur me këto kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Krusha tha se trupi gjykues nuk mund të administroi si provë për shkak se të njëjtat janë të fotokopjuara zbehtë dhe nuk janë të lexueshme.

Pas kësaj ajo ka ndërprerë seancën e sotme , ndërsa seanca e radhës pritet të mbahet nesër me 25 dhe 26 maj 2021, në ora 09:00.

Sipas aktit akuzues, i pandehuri Bajram Selmani, gjeodet i licencuar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetit e tij, në kundërshtim me kornizën e punës të Agjencionit Kadastral të Kosovës, për standardizimin e matjeve kadastrale, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vëllezërit Gjon dhe Mihill Gjevlekaj, nga fshati Karashëngjergj në Komunën e Prizrenit, duke shkelur të drejtat e personit tjetër, të dëmtuarit Gjek Gjevlekaj, në atë mënyrë që në cilësi të gjeodetit të licencuar ka bërë ndarjen e parcelave 488 dhe 518 ZK-Karashëngjergj pa lejen, dokumentin dhe kërkesën e njërit bashkëpronar Gjek Gjevlekaj, me ç ‘rast parashtron kërkesën dhe realizon regjistrimin me ndryshime të pronës në Kadastral-Map në kundërshtim me rregullativën ligjore.

Për të pandehurën Luljeta Rizanaj, në aktakuzë thuhet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e personit zyrtar, gjeodete në Drejtorinë për gjeodezi dhe kadastër, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare tejkalon kompetencat e saj, ashtu që me qëllim shkel të drejtat e personit tjetër Gjek Gjevlekaj, duke vepruar në kundërshtim me rregullat ligjore.

Tutje, në aktakuzë thuhet se e pandehura Rizanaj si gjeodete bën regjistrimin me ndryshime të pronës së bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj në Kadastral-Map, në kundërshtim me rregullat ligjore.

Sipas aktakuzës, lënda edhe pse nuk ishte e kompletuar, pasi që mungonte dokumenti i identifikimit, kërkesa dhe i autorizuari i bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj, pa pëlqimin e tij, e pandehura Luljeta Rizanaj bënë ndarjen e parcelave me aktvendimin 07-942/05-176194/T, më 12 shkurt 2018.

Me këto veprime, sipas aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Prizren, të pandehurit Bajram Selmani dhe Luljeta Rizanaj kanë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.