burgim dhe ndalim i vozitjes për 1 vit pasi pranoi se kishte shkaktuar aksident ku kishte vdekur një person

Dardan Shala është dënuar me 2 vite burgim pasi ka pranuar se nga pakujdesia kishte shkaktuar aksident me veturë, ku kishte vdekur tani i ndjeri N.A . Ngjarja kishte ndodhur në qershor të këtij viti, në fshatin Bellanicë.

Sipas aktgjykimit të shpallur më 6 gusht 2021, nga gjykatësi Lulzim Paçarizi,  në dënimin e burgim, të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe atë, nga 26 qershori 2021, deri më 6 gusht 2021, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, të akuzuarit i është shqiptua edhe dënimi plotësues, ndalimi i drejtimit të automjetit në kohëzgjatje prej 1 viti.

Po ashtu, ai është obliguar dhe me shpenzimet e procedurës dhe atë, në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësorë 30 euro, 200 euro në emër të shpenzimeve të procedurës, si dhe 30 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 5 gusht 2021, i akuzuari Shala kishte pranuar fajësinë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 19 korrik 2021, Dardan Shala akuzohej se më 26 qershor 2021, rreth orës 15:20, në autostradën Prizren-Prishtinë, saktësisht në kilometrin e 49, në fshatin Bellanicë, duke shkelur nenet 41, 53 dhe 157, të Ligjit për Rregullat e Trafikut, nga pakujdesia vë në rrezik jetën e njerëzve.

Siç thuhet në aktakuzë, derisa ishte duke drejtuar automjetin transportues “Mercedes Benz Sprinter”, duke bërë veprim të gabuar dhe të pakontrolluar dhe duke mos mbajtur shiritin e vetë qarkullues, del në shiritin emergjent dhe me pjesën e parë të anës së djathtë të automjetit e godet të ndjerin N.A, të cilin e përplas në automjetin e tij “Citroen” në anën e majtë, i cili ishte ndalur në shiritin emergjent.

Në aktakuzë thuhet se si rrjedhojë e fuqisë së përplasjes, për shkak të shpejtësisë së lëvizjes, i ndjeri N.A ndërron jetë në vend aksident.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Rrezikimii i trafikut publik” nga neni 370 paragraf 9, lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafin 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.