25-04-2024

Burgim dhe ndalim i vozitjes për një vit, pasi shkaktoi aksidenti fatal

Shasivar Beka është dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim pasi ka pranuar se nga pakujdesia kishte shkaktuar aksident me veturë, ku kishte vdekur tani i ndjeri B.G. Ngjarja kishte ndodhur në gusht të këtij viti, në fshatin Terpezë.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Lulzim Paçarizi, në dënimin me burgim të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe atë, nga 1 gushti 2021 deri më 10 shtator 2021, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, gjyqtari Paçarizi njoftoi se me vendim të posaçëm, të akuzuarit Beka i është ndërprerë masa e paraburgimit.

Sipas këtij aktgjykimi, të akuzuarit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i drejtimit të automjetit në kohëzgjatje prej 1 viti.

I akuzuari Beka është obliguar edhe me shpenzimet e procedurës dhe atë, në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor 50 euro, 172 euro në emër të shpenzimeve të procedurës, si dhe 30 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 9 shtator 2021, i akuzuari Beka e kishte pranuar fajësinë.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 26 gusht 2021, ngarkon Shasivar Bekën se më 1 gusht 2021, në fshatin Terpezë, Komuna Malishevë, duke shkelur nenin 65, të Ligjit për Rregullat e Trafikut, nga pakujdesia vë në rrezik jetën e njerëzve.

Siç thuhet në aktakuzë, derisa i akuzuari ishte duke drejtuar automjetin “Hyundai”, në një moment devijon nga rruga dhe nga shiriti i vet i lëvizjes, del në shirit e majtë dhe me pjesën e përparme të krahut të majtë e godet automjetin “Opel Vectra”, të cilin ishte duke e drejtuar i ndjeri B.G.

Në aktakuzë thuhet se si rrjedhojë e goditjes së automjeteve i ndjeri B.G ndërron jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme pësojnë i akuzuari dhe pasagjerja e tij Xhemile Beka.

Për këtë, ai ngarkohet me veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370, paragraf 9, lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej një deri në tetë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.