Burgim me kusht për menaxherin e prokurimit në Dragash, i akuzuar për korrupsion
Prizren- Gjykata Themelore në Prizren, e ka dënuar me kusht të akuzuarin Nuro Ismaili, duke vërtetuar dënimin me burg në kohëzgjatje prej 1 viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse në afat prej 2 viteve nuk kryen vepër të re penale.
Ismaili ngarkohej se nënshkroi një kontratë me një operator për 25 mijë e 680 euro më të shtrenjtë si dhe dështoi të marrë sigurinë e tenderit prej 3 mijë eurosh dhe nënshkroi kontratën me operatorin pa i plotësuar të gjitha dokumentet.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Ismaili, u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Po ashtu, Ismaili është obliguar që Komunës së Dragashit t’i kompensoj dëmin në shumën prej 3 mijë euro si dhe të gjitha shpenzimet e procedurës penale.
Gjithashtu, në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 100 euro dhe në emër të kompensimit të viktimave shumën prej 50 euro.
Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 30 nëntor 2020, Nuro Ismaili po akuzohet se nga 18 marsi 2019 e deri më 28 qershor 2019, si person përgjegjës-menaxher i zyrës së prokurimit në Komunën e Dragashit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojë dobi pasurore për operatorin ekonomik “Avni Murtezi” B.I.
Ismaili ngarkohej se si menaxher në Zyrën e Prokurimit në kundërshtim me ligjin ka lidhur kontratë për furnizim me pelet me një operator më të shtrenjtë për 25 mijë e 680 euro.
Po ashtu, ai ngarkohej se ka dështuar të konfiskojë sigurinë e tenderit i datës 5 maj 2019 në shumë prej 3 mijë euro për furnizim me dru dhe pelet nga Operatori ekonomik “Avni Murtezi”.
Gjithashtu, sipas aktakuzës ai ngarkohej se pa i plotësuar të gjitha dokumentet i lidhet kontrata me operatorin më të shtrenjtë për 25,680 euro duke dëmtuar buxhetin e Komunës së Dragashit.
Me këto veprime, Nuro Ismaili po akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3, nën paragrafi 3.2 të Kodit Penal. Sipas nenit 414, paragrafit 1, dënimi parashihet të jetë me burgim prej një deri në tetë vjet. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë̈ fajtorë me vendim të formës së prerë