Burri i dehur nga Malisheva e rrahu gruan e tij pasi kjo nuk e përshëndeti
Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka bërë kërkesë në Gjykatën kompetente në Gjakovë, dega Malishevë, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit F.H., me dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Siç njofton Prokuroria, rasti ka ndodhur dje në fshatin Ngucat, Komuna e Malishevës, në shtëpinë e tyre të përbashkët, ku i pandehuri kthehet nga puna në gjendje të dehur me një bashkëfshatar, dhe menjëherë fillon ti bërtasë bashkëshortes, L.H., për shkak se nuk po e përshëndetë atë. I revoltuar fillon e sulmon të dëmtuarën duke e goditur me shuplaka e grushte në kokë, si dhe e nxjerr jashtë shtëpisë atë së bashku me tre fëmijët, duke i shkaktuar kështu lëndime të lehta trupore.
Prokurori i rastit ndaj të pandehurit F.H., ka bërë kërkesën për caktimin e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe i njëjti me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 29 qershor 2021.